7 Qershor, 2025 - 11:29 am
Në pikën doganore të Hanit të Hotit ka nisur tashmë fluksi i parë i pushuesve të huaj dhe vendas, që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit veror. Ky fluks i shtuar dëshmon për rritjen e ndjeshme të interesit për vendin tonë si një destinacion turistik gjithnjë e më i preferuar në Europë.
Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria vijon të kryesojë në nivel europian përsa i përket rritjes së flukseve turistike, me një rritje mbresëlënëse prej 136%, krahasuar me periudhën para pandemisë COVID-19. Ky trend pozitiv është tregues i një transformimi të suksesshëm të imazhit turistik të vendit dhe rritjes së kapaciteteve pritëse.
Autoritetet doganore dhe policore në këtë Pikë Kufitare Doganore kanë marrë të gjitha masat për të përballuar këtë rritje të lëvizjeve, duke garantuar një proces të shpejtë dhe të sigurt për hyrjen e vizitorëve. Turistët që kalojnë në këtë pikë doganore vijnë kryesisht nga vendet fqinje dhe Europa Qendrore, duke shfrytëzuar mundësitë natyrore dhe kulturore që ofron Shqipëria.
Gjatë muajve në vijim, pritet që fluksi të rritet më tej, ndërsa operatorët turistikë dhe strukturat akomoduese janë tashmë në gatishmëri të plotë për të ofruar shërbime cilësore dhe për të përmbushur pritshmëritë e turistëve.
Gjatë katër muajve të parë të vitit 2025, Shqipëria ka pritur mbi 2,45 milionë turistë të huaj./atsh/ KultPlus.com