Flukse pushuesish në plazhin e Tales (VIDEO)

26 Korrik, 2023 - 7:00 pm

Plazhi i Tales, vetëm 7 km larg rrugës nacionale Tiranë – Lezhë, frekuentohet jo vetëm nga pushuesit vendas, por edhe nga ata nga Kosova, të cilët e kanë zbuluar si destinacion të ri, familjar dhe të qetë, për këtë sezon veror.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet opinione të pushuesve që kanë zgjedhur këtë verë bregdetin e Tales, me hapësirat e bollshme, ujin e pastër, rërën cilësore dhe shërbimet e shtuara.

“Këto kanë nxitur flukse të larta turistësh në këtë sezon veror që vlerësohet maksimalisht edhe prej bizneseve të sektorit”, tha Rama.

Pastërtia e ujit dhe rërës, hapësirat e bollshme publike dhe çmimet e favorshme janë arsyet pse pushuesit po e kërkojnë plazhin e Tales gjithnjë e më shumë.

“Plazhi i Tales nga viti në vit është duke rritur imazhin te pushuesit vendas e të huaj. Mirëmbajtja, pastrimi, çmimet konkurruese dhe qetësia mbi të gjitha janë arsyet që ky plazh frekuentohet në masë”, tha përfaqësuesi i një biznesi që operon në zonë.

“Kemi shumë turistë nga Zvicra, Gjermania, Kosova ka shumë”, tha përfaqësuesi i një biznesi që operon në zonë.

“Për familjarët është i shkëlqyer si për detin, si për rërën, si për qetësinë që ofron, për shërbimet”, tha një pushuese.

Plazhi i Tales shtrihet në një vijë bregdetare rreth 7 kilometra, me një gjerësi rëre që shkon nga 100 në 150 metër.

Ky plazh shtrihet nga cepi i lagunave Kune-Vain deri në fillim të deltës së lumit Mat dhe vlerësohet si një plazh familjar për qetësinë që ofron.

Nga një zonë e virgjër, gati-gati e panjohur për shumëkënd, vitet e fundit plazhi i Tales ka filluar të frekuentohet dendur nga pushues edhe përtej Shqipërisë.

Në jug të zonës gjendet plazhi Tale 2, ende i pazbuluar nga shumica e turistëve. Ngjyra e rërës është e zezë dhe kjo tregon për vlerat kuruese të saj dhe faktin e mosshfrytëzimit.

Akoma më në jug, delta e lumit Mat prezanton një ambient natyror mjaft të këndshëm dhe atraktiv dhe të përshtatshëm për sportet e aventurës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme