17 Korrik, 2025 - 3:17 pm
Arkeologët që punojnë në brigjet e Liqenit të Ohrit në Shqipëri janë të bindur se kanë zbuluar vendbanimin më të vjetër njerëzor të ndërtuar në një liqen evropian duke gjetur prova të një komuniteti të organizuar gjuetie dhe bujqësor që ka jetuar deri në 8 000 vjet më parë, sipas Reuters.
Ekipi, nga Zvicra dhe Shqipëria, kalon orë të tëra çdo ditë rreth tre metra nën ujë, duke nxjerrë me kujdes shtylla druri që mbështesnin shtëpitë.
Ata gjithashtu po mbledhin eshtra të kafshëve të zbutura dhe të egra, objekte bakri dhe qeramikë me gdhendje të detajuara.
Albert Hafner, nga Universiteti i Bernës, tha se vendbanime të ngjashme janë gjetur në rajonet alpine dhe mesdhetare, por vendbanimet në fshatin Lin janë gjysmë mijëvjeçari më të vjetra, duke datuar midis 6 000 dhe 8 000 vjet më parë.
“Meqenëse është nën ujë, materiali organik është i ruajtur mirë dhe kjo na lejon të zbulojmë se çfarë kanë ngrënë këta njerëz, çfarë kanë mbjellë”, tha Hafner.
Studime të shumta tregojnë se Liqeni i Ohrit, i ndarë mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është liqeni më i vjetër në Evropë, me mbi një milion vjet.
Mosha e gjetjeve përcaktohet nëpërmjet datimit me radiokarbon dhe dendrokronologjisë, e cila mat unazat vjetore të rritjes në pemë.
Më shumë se 1 000 mostra druri janë mbledhur nga vendi, i cili mund të ketë strehuar disa qindra njerëz.
Besohet se vendbanimi mbulon rreth gjashtë hektarë, por deri më tani, vetëm rreth 1% është gërmuar pas gjashtë vitesh pune.
Hafner tha se zbulimet tregojnë se njerëzit që jetonin në liqen ndihmuan në përhapjen e bujqësisë dhe bagëtive në pjesë të tjera të Evropës.
“Ata ende merreshin me gjueti dhe mbledhje gjërash, por të ardhurat e qëndrueshme për ushqimin vinin nga bujqësia”, tha ai.
Arkeologu shqiptar Adrian Anastasi tha se mund të duhen dekada për të eksploruar plotësisht zonën.
“Nga mënyra se si kishin jetuar, ngrënë, gjuajtur, peshkuar dhe nga mënyra se si arkitektura u përdor për të ndërtuar vendbanimin e tyre, mund të themi se ata ishin shumë inteligjentë për atë kohë”, tha Anastasi./atsh/KultPlus.com