Fondacioni Mane hap dyert e galerisë “GOCAT”

24 Maj, 2024 - 8:30 pm

Një hapësirë e re dedikuar artit është shtuar tek Piramida e Tiranës.

Me mbështetjen e fondacionit Mane, Galeria “GOCAT” ka hapur dyer prej 22 Majit.

Çdo artist shqiptar apo i huaj mund t’i ekspozojë falas veprat në këtë qendër, ku edhe hyrja për vizitorët është po ashtu pa asnjë pagesë.

“Galeria do të  jetë falas për artistë dhe kuratorë që dëshirojnë të ekspozojnë në hapësirat tona, ne kemi dy salla tepër interesante që iu ofrohen pa asnjë pagesë”, thotë drejtoresha e Galerisë “GOCAT”, Ena Bulku.

Galeria e Artit bashkëkohor Tiranë ka për synim të promovojë artistët, si dhe të afrojë sa më shumë të rinj drejt artit.

“Vjen si iniciativë nga fondacioni Mane, një fondacion i cili jo rrallë herë ka kontribuar në fushat e artit dhe kulturës dhe rrjedhimisht lindi nevoja pse jo për të hapur një galeri të re që i dhurohet kryeqyteti dhe vendit tonë”, shprehet Ena Bulku.

Galeria u çel me Ekspozitën e artistit bashkëkohor Driant Zeneli, një eksplorim sublim i potencialit njerëzor.

“Një ekspozitë multimediale, e cila fton vizitorët drejt kërkimit të vetvetes, një prej veprave është edhe struci që është pas meje”, vijon znj.Bulku.

Për të gjithë dashamirësit e artit, Galeria është e hapur nga e marta në të dielë./TvKlan/Kultplus.com

Të ngjajshme