Fotot e rralla: Kur çlirohej Tirana nga gjermanët nazistë

17 Nëntor, 2022 - 12:41 pm

Sot shënohet 78-vjetori i çlirimit të Tiranës nga nazistët gjermanë.

Operacion i madh, nga më të rëndësishmit, më të ashprit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.

Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korpomatës së I Sulmuese. Shtabi i korpomatës hartoi një plan operacioni të hollësishëm në bazë të planit operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme.

Plani parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës.

Operacioni u zhvillua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator – 28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor – 10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11 – 17 nëntor). Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra (29, 10, – 17, 11) brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua.

Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë. Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH. Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij.

Fotot e mëposhtme, tregojnë disa momente nga ajo ngjarje. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme