Franca i dhuron Kosovës 117,000 vaksina Pfizer, Osmani: Beteja me COVID-19 ende nuk ka përfunduar

16 Dhjetor, 2021 - 9:06 pm

Franca sot i ka dhuruar Kosovës 117,000 vaksina anti-Covid, përcjell KultPlus.

Njoftimin e ka bërë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila përmes një postimi në Facebook ka falënderuar popullin francez dhe Presidentin Macron për këtë donacion.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të saj:

Angazhimi ynë institucional për luftimin e pandemisë është fuqizuar vazhdimisht përmes përkrahjes së partnerëve e aleatëve tanë.

Franca, dhe njëherë përgjatë këtij rrugëtimi sfidues, u dëshmua si një vend mik e solidar. Në emër të qytetarëve tanë, dua ta falenderoj Presidentin Macron dhe popullin francez për donacionin me 117,000 vaksina Pfizer. Një kontribut i duhur, në një kohë të duhur.

Kosova ka arritur një nivel të mirë të vaksinimit dhe qytetarët tanë kanë treguar nivel të lartë të përgjegjësisë kolektive e vetëdijesimit. Por, kemi ende punë përpara. Siç u dëshmua në vende të tjera, doza e tretë është e domosdoshme për ta parandaluar një valë të re infektimesh.

Në prag të festave të fundvitit, dhurata më e mirë që mund t’i bëni vetes dhe më të dashurve tuaj është ruajtja e shëndetit tuaj. Andaj, ju lutem, vaksinohuni!./KultPlus.com

Të ngjajshme