Funari, së shpejti me pistën më të madhe të parashutizmit në vend

8 Nëntor, 2022 - 1:41 pm

Në Funar, rreth 20 km larg Elbasanit ka nisur puna për pistën e parashutizmit, hapjen e 75 km të shtigjeve malore dhe ndërtimin e pikës së informimit të vizitorëve.

Kryetari i bashkisë se Elbasanit inspektoi nga afër punimet për projektin “Funari Adventure Park”, të cilin e cilësoi si një nga projektet më të mira për zhvillimin e turizmit.

“Në bashkëpunim me Bashkimin Europian me fondet IPA Crosporter dhe me të Maqedonisë së Veriut jemi në fazën përfundimtare të pistës së parashutizmit në njësinë administrative Funar në fshatin Cerrunjë”, tha Llatja.

Sipas tij, ky investim do t’i vijë në shërbim turistëve të zonës.

“Kjo është pista më e madhe që po bëhet në Shqipëri, ku janë 3000 m2 të rehabilituara totalisht të shtruara me tapetin sipas standardit më të mirë ndërkombëtar, për të pasur një turizëm të qëndrueshëm në Elbasan”, shtoi Llatja.

Kryebashkiaku Llatja u shpreh se “bashkia e Elbasanit ka shumë projekte për zhvillimin e turizmit, ashtu si e nisëm me kishën e Shelcanit, siç po vazhdojmë me qendrën e Gjinarit turistik, me rivitalizimin e shumë objekteve tona kulturore, turistike, të cilat kanë një potencial për zhvillimin ekonomik”.

Ai bëri të ditur se “shumë shpejt do të nisim 75 km shtigje malore duke filluar që nga Elbasani, tek rruga e Bradasheshit për të përfunduar në Funar, të cilat lidhen me pistën e re”.

Llatja tha se “ka edhe problematika të shumta, siç është edhe rruga e Funarit, por hap pas hapi do i bëjmë të gjitha dhe ajo që është e rëndësishme është që Funari tashmë ka një realizim shumë modern dhe një tjetër referencë për ata që dashurojnë sportet e natyrës”.

Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë të ndarë dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë. Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë. E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme