Galeria Kombëtare e Kosovës prezanton programin edukativ të gushtit në kuadër të ekspozitës “I avashtë dhe i pandalshëm”

12 Gusht, 2025 - 5:30 pm

Galeria Kombëtare e Kosovës ka prezantuar programin edukativ për muajin gusht, i cili zhvillohet në kuadër të ekspozitës “I avashtë dhe i pandalshëm” të artistit Kemil Bekteši. Programi është i frymëzuar nga simbolika e bukës dhe gatimit në kulturën shqiptare, duke e kthyer këtë temë në një urë mes traditës dhe krijimtarisë artistike.

Gjatë muajit, vizitorët do të kenë mundësinë të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme krijuese, përfshirë punime me terrakotë, gatim dhe aktivitete komunitare. Qëllimi i këtyre punëtorive është të ofrojnë hapësira për argëtim, mësim dhe zhvillim kreativ për të gjitha moshat, transmeton KultPlus.

Të gjitha aktivitetet do të mbahen në ambientet e Galerisë Kombëtare të Kosovës, në Qafën e qytetit të Prishtinës, ndërsa detajet e plota për oraret dhe format e pjesëmarrjes do të publikohen së shpejti nga organizatorët.

Ky program është një mundësi e veçantë për të kombinuar artin, traditën dhe komunitetin në një përvojë të pasur kulturore./KultPlus.com

Të ngjajshme