Genc Prelvukaj: Liria mban vetëm emrin e popullit që nuk u nënshtrua kurrë

18 Nëntor, 2020 - 8:21 pm

Ish këshilltari politik dhe këngëtari i njohur Genc Prelvukaj ka reaguar nëpërmjet një statusi për fushatën aktuale ‘’Liria ka emër’’, duke shprehur se kush mban emrin e lirisë sipas tij, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një shkrimit të gjatë, të nisur me ‘’Liria ka shumë emra’’, ai ka renditur përpjekjet shumëvjeçare të popullit shqiptar si rezistencë kombëtare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kryengritjet, personalitetet, demonstratat studentore, Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë disa ngjarjet të cilat sipas tij mbajnë emrin e lirisë.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Prelvukajt:

Liria ka shumë emra

Liria mban emrin e atyre shqiptarëve ortodoksë e katolikë të cilët i mbijetuan tjetërsimit etnik gjatë njëmijë e pesqind viteve pushtim.

Liria mban emrin e atyre shqiptarëve të besimit islam që u rreshtuan në linjën e forcimit të ndjenjës kombëtare, mbrojtjes së identitetit dhe luftës për çlirim.

Liria mban emrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që edukoi kombëtarisht masa të gjëra popullore

Liria mban emrin e kryengritësve të 1910-tës, të Kaçanikut e Carralevës të cilët përmes luftës dhanë shembullin më të mirë se si duhet liria.

Liria mban emrin e Hasan Prishtinës dhe Komitetit shqiptar të Kosovës të cilët vepruan, ranë dhe u burgosen për çlirim të vendit.

Liria mban emrin e të gjithe të burgosurve, të vrarëve, të helmuarve, të plagosurve e të dëbuarve përgjatë sundimit të mbretërisë Jugosllave.

Liria mban emrin e Ballit Kombetar dhe Nacional Demokratikes Shqiptare.

Liria mban emrin e masakrës sëTivarit, masakrës së Previsë, mundimeve të Goli Otokut.

Liria mban emrin e demonstruesve të 1968-tës, dhe personaliteteve që shtynë hapjen e Universitetit të Prishtinës.

Liria mban emrin e demonstruesve të 1981-tës, 1989-tës, Grevës së Minatoreve, fëmijëve të helmuar, të larguarve nga puna dhe atyre që në çdo formë bojkotuan pushtetin serb

Liria mban emrin e atyre që falen gjaqet, Anton Çettës, profesorëve që punuan pa kompensim në shkollimin paralel.

Liria mban emrin e organizatave ilegale sikurse Lpk-ja, Lkçk-ja, mban emrin e Isuf Gervallës, Enver Hadrit dhe Kadri Zekës

Liria mban emrin e Ibrahim Rugovës me shokë dhe levizjes së tyre për afirmimin e çështjes së Kosovës në botë.

Liria mban emrin e diaspores shqiptare që loboi, financoi dhe ndihmoi rezistencen brenda vendit.

Liria mban emrin e Ushtrise Çlirimtare të Kosovës, Jasharajve, betejës së Kosharës, Junikut, Rahovecit, Llapushnikut, Pashtrikut, Llaushës e Llapashticës.

Liria mban emrin e Izbicës, Reçakut, Lybeniqit, Mejës, Krushës, të vrarëve e të zhdukurve

Kështu që :

Liria e Kosovës ndërlidhet me rezistencën e shkëlqyer të shqiptarëve gjatë shumë e shumë shekujve. Ndërlidhja e saj vetëm me disa individë përben synim politik dhe kësisoji është nëpërkëmbje e sakrificave të shumë brezave para nesh.

Liria mban vetëm emrin e popullit, një populli që nuk u nënshtrua kurrë. / KultPlus.com

Të ngjajshme