“Gërmia Park” – lokacioni ku do të mbahet SunnyHill Festival këtë vit

2 Korrik, 2022 - 1:10 pm

Tema e lokacionit për mbajtjen e Festivalit SunnyHill këtë vit u diskutua shumë dhe tani duket se gjithçka është zgjidhur, shkruan KultPlus.

Pas një deklarate të përbashkët mes Sunny Hill Festival, Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është vendosur edhe për këtë vit lokacioni të jetë parku Gërmia.

“Sunny Hill Festival, Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministritë e linjës në Qeverinë e Republikës së Kosovës janë pajtuar që edicioni i këtij viti i Sunny Hill Festival të mbahet në parkun e Gërmisë, me ç’rast janë siguruar lejet e nevojshme.

Për shkak të kufizimeve të hapësirës në parkun e Gërmisë, Sunny Hill Festival këtë vit do të ketë kapacitet të kufizuar të pjesëmarrësve, përkundër potencialit dhe nevojave në rritje që i ka festivali.

Sunny Hill Festival zotohet se e gjithë hapësira e parkut që do të merret në shfrytëzim do të përdoret me kujdes të shtuar, dhe se pastrimi dhe rigjenerimi i parkut do të bëhet në afat rekord, edhe me investimet e nevojshme nga ana e Sunny Hill Festival.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministritë tjera përkatëse, bashkë me Komunën e Prishtinës janë zotuar të ofrojnë mbështetje të plotë për realizimin e një edicioni të jashtëzakonshëm të Sunny Hill Festival në Prishtinë më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022″, thuhet mes tjerash në njoftim. /KultPlus.com

Të ngjajshme