Gëzim Gashi flet për librin “Unlocked: the power of you” në NBC News: Historia ime gjatë luftës në Kosovë, inspirim për rrugëtimin tim

7 Korrik, 2022 - 7:36 pm

Muajin e kaluar, historia e jetës së Gëzim Gashit, sipërmarrësit dhe autori ‘bestselling’ të librit ”Unlocked: the power of you”, i cili nga një i mbijetuar i luftës së fundit në Kosovë, ka arritur të jetojë ëndrrën amerikane, mori vëmendjen e gazetës prestigjioze New York Post të cilët i dedikuan një artikull të veçantë duke u rikthyer në rrënjët e tij e deri sot, ku ai po shijon suksesin e librit të tij debutues, shkruan KultPlus.

Por ende pa kaluar muaji, Gashi është ftuar nga prestigjiozja NBC News me seli në New York për të folur për librin e tij ”Unlocked: the power of you”.

Duke folur për librin e tij, ai tha se mund t’ju ndihmojë shumë njerëzve që ta gjejnë veten e tyre dhe atë se çka duan të jenë.

“Ideja e ‘Unlocked: the power of you’ është se unë besoj se ne duhet të gjejmë narrativen tonë dhe duhet ta pretendojmë atë dhe unë mendoj që mund ta bëjmë atë përmes tregimit dhe ne duhet ta kuptojmë se mënyra se si ne flasim për veten tonë, mënyra se si ne mendojmë për veten tonë me të vërtetë e përcakon edhe njeriun që do të bëhemi“, u shpreh Gashi duke thënë më tutje se libri i tij është një udhërrëfyes për lexuesin që të kuptojnë tregimin dhe narrativen e tyre, ta pretendojnë atë dhe ta përdorin si një superfuqi.

Më pas, Gashi tregoi edhe historinë e tij, e për të cilën është njoftuar nga nëna e tij kur ai ishte vetëm 10-vjeç, e që atëherë e ka përdorur këtë histori si inspirim për të arritur çdo gjë në jetën e tij.

“Unë kam lindur më 29 qershor të vitit 1990 dhe më 2 korrik të vitit 1990 në Kosovë ndodhën shumë gjëra pasi Kosova deklaroi pavarësinë nga parlamenti i Serbisë. Dhe ajo çka ndodhi shkaktoi gjenocid ku më pas ushtarët serbë erdhën në spital kur unë isha ende një i sapolindur dhe nëna ime është dashur ta thërrasë babanë tim dhe vëllain e saj për të më marrë mua dhe ata erdhën dhe me larguan nga dritarja. Kur kemi arritur në fshat gjyshja ime ishte gëzuar për mua që isha gjallë dhe që Kosova u bë republikë, e aty vendosi që emri im të jetë Gëzim”, tha Gashi, duke treguar historinë e tij, e cila e ka inspiruar gjatë gjithë jetës.

Më poshtë KultPlus ua sjell intervistën e plotë të Gëzim Gashit për NBC News:

Të ngjajshme