7 Gusht, 2025 - 11:11 pm
Një nga figurat më të mëdha të fotografisë dokumentare në Evropë, Gianni Berengo Gardin, ka ndërruar jetë sot në Gjenova, në moshën 94-vjeçare, njofton “Adnkronos”.
I lindur më 10 tetor 1930 në Santa Margherita Ligure, por i rritur në Venecie – qyteti që e konsideronte të vetin – Berengo Gardin nisi rrugën e fotografisë në rininë e tij dhe kurrë nuk u nda më prej saj. Gjatë shtatë dekadave të punës së tij, ai krijoi një arkiv monumental me mbi dy milionë negativë, duke dokumentuar jetën italiane me një sy empatik, të ndershëm dhe shpesh ironik, por kurrë cinik.
Fotot e tij bardh e zi tregojnë puthje të fshehta, gra punëtore, fëmijë në lojë, arkitekturë industriale, jetën në trenat e stërmbushur dhe fytyrat e panjohura të një Italie që ndryshonte. Ai nuk deshi kurrë ta quante veten artist: “Unë jam një zejtar. Nuk dua të interpretoj, dua të tregoj”.
Berengo Gardin ishte i pranishëm në ekspozita dhe institucione ndër më prestigjiozet në botë – nga MoMA në New York, Reina Sofía në Madrid, deri te Biblioteka Kombëtare e Francës dhe MAXXI në Romë. Ai botoi mbi 260 libra dhe realizoi mbi 360 ekspozita personale.
Krahasuar shpesh me Henri Cartier-Bresson, ai thoshte me modesti:
“Unë jam Willy Ronis italian. Por me krenari ruaj një dedikim nga Cartier-Bresson: ‘Për Gianni Berengo Gardin me simpati dhe admirim’. Të kesh admirimin e tij do të thotë që mund të vdesësh në paqe.”
Sot, ai iku në paqe duke lënë pas një trashëgimi që do të ndriçojë akoma përmes dritës së bardhë e zi./KultPlus.com