Gjatë izolimit Driton Kuka ka përmirësuar shumë gjëra te sportistët e tij

3 Korrik, 2020 - 11:30 pm

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka dhënë një intervistë të gjatë për faqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos. Fituesi i medaljes olimpike si trajner, Kuka, ka folur kryesisht për sfidat aktuale, ato me të cilat xhudistët janë përballur pas ndërprerjes së garave dhe izolimit për shkak të pandemisë COVID-19.

Ndër të tjera Kuka ka folur për mënyrën e ushqimit të garuesve në rrethana të reja, pa gara e pa kampe të mëdha ndërkombëtare. Aktualisht xhudistët kosovarë po qëndrojnë në një kamp në bregdetin shqiptar, së bashku me xhudistët më të mirë të Shqipërisë.

“Sfida kryesore për mua si trajner në këtë periudhë është të mbajë në nivelin e duhur shëndetin mental të garuesve. Ia kam dalë të mbajë 12 xhudistët më të mirë të bashkuar dhe të izoluar në afërsi të sallës tonë. Ishte vendim i vështirë, pasi disa prej tyre nuk ishin të gatshëm të izolohen për afat të pacaktuar. Por kam folur shumë me ta dhe kemi marrë çdo vendim bashkë. Në fund të karantinës, pas saktësisht 12 javëve, unë isha i lumtur dhe jam i sigurt që kemi bërë gjënë e duhur në këtë situatë”, ka thënë Kuka për IJF-në.

Kuka vlerësohet prej trajnerëve më të mirë në botë sa i takon xhudos. Nxënësit e tij kanë fituar krejt çka mund të fitohet në këtë sport. Pas rifillimit të garave ata pritet të jenë edhe më të mirë.

Kuka vlerëson faktin se xhudistët e tij e kanë pasur mundësinë të ushtrojnë. Jo të gjitha ekipet në botë e kanë pasur këtë “luks”.

“Në çdo stërvitje synimi kryesor ishte të mbajë xhudistët në nivel të duhur mental dhe i kam bindur se kjo pauzë e gjatë nga garat më ka lejuar mua si trajner që të ndërtojë gjëra të reja, pozicione të reja, të përmirësojë shumë prej problemeve teknike te të gjithë ata”.

Kuka personalisht ka pasur më shumë kohë për familjen, pas 15 vjetësh të mbushura me udhëtime. Ai megjithatë ka pranuar se garat po i mungojnë tashmë.

“Unë tashmë kam dëshirë të ndiej garat. Dua të bëjë stërvitje me disa synime, që janë medaljet dhe paraqitjet e mira në gara. Tani është situatë krejt tjetër dhe mendoj se në shtator duhet të fillojmë me disa ngjarje. Nuk është e lehtë por duhet të gjejmë një mënyrë”, ka thënë Kuka.

Të ngjajshme