Gjendet testamenti që shkaktoi përçarje në familjen e William Shakespeare

22 Gusht, 2025 - 12:15 pm

Një testament nga shekulli i 17-të, që shkaktoi një përçarje në familjen e William Shakespeare mbi shtëpinë madhështore në Stratford-upon-Avon, është zbuluar.

Dokumenti, i hartuar nga Thomas Nash më 25 gusht 1642, u zbulua nga Dr Dan Gosling, një historian në Arkivat Kombëtare të Britanisë, ndërsa po kontrollonte kuti të palistuara që përmbanin qindra dokumente ligjore.

Dr Gosling tha se ishte “i sigurt” se askush nuk e kishte parë këtë testament për 150 vjet, pasi ishte arkivuar në fund të shekullit të 19-të.

Ai shtoi se dokumenti tregon se zbatimi i testamentit të Shakespeare “nuk ishte aspak një proces i lehtë”. Nash (i njohur edhe si Nashe) ishte i martuar me mbesën e Shakespeare-it, Elizabeth Hall, dhe jetonte në New Place, atëherë rezidenca familjare e dramaturgut dhe shtëpia e dytë më e madhe në qytet.

Ai ia la këtë pronë kushëririt të tij Edward, pavarësisht se nuk kishte të drejtë ligjore për ta bërë këtë.

Shtëpia ishte lënë më parë nga Shakespeare vajzës së tij më të madhe, Susanna, e cila ishte ende gjallë dhe jetonte aty me Nashin dhe Elizabethën, vajzën e saj.

Kur Nash vdiq në vitin 1647, Susanna dhe Elizabeth siguruan një dokument ligjor që konfirmonte se ato vazhdonin të ishin trashëgimtaret e pronave të Shakespeare-it.

Edward Nash e paditi Elizabethën një vit më vonë, duke kërkuar që ajo të respektonte dëshirën e kushëririt të tij të ndjerë.

Rasti përfundoi në Gjykatën e Çështjeve të Pasurisë (Court of Chancery), ku Elizabeth argumentoi se burri i saj i ndjerë nuk kishte fuqi ligjore për të dhuruar shtëpinë e Shakespeare-it, dhe përmendi faktin se gjyshi i saj ia kishte lënë atë nënës së saj.

Elizabeth, e cila më vonë u bë Lady Barnard, besohet se e zgjidhi çështjen jashtë gjykate dhe vazhdoi të jetonte në rezidencë deri në vdekjen e saj në vitin 1670, tha Dr Gosling.

Ai shtoi: “U emocionova shumë kur fillova të lexoj për këtë dhe si lidhej me çështjen në Chancery, me familjen Shakespeare dhe me të fundit nga pasardhësit e drejtpërdrejtë të Shakespeare-it.”/BBC/KultPlus.com

Të ngjajshme