Gjermania drejt vaksinimit me detyrim të popullatës

28 Janar, 2022 - 9:30 pm

Grupet më të mëdha parlamentare në parlamentin federal Bundestag e mbështesin vaksinimin me detyrim. Faktorë shëndetësorë dhe ekonomikë nxisin autoritetet.

Deri tani shumëçka flet që vaksinimi kundër koronavirusit do të bëhet i detyrueshëm në Gjermani. Kjo u përvijua edhe të mërkurën (26.01.) në debatin pasionant mbi tre orësh të deputetëve e parlamentit federal, Bundestagut. Ajo që është me të vërtetë e diskutueshme është vetëm grupmosha prej së cilës shtetasit do ta kenë me detyrim të vaksinohen.

Zyrtarisht në diskutim janë këto variante:  vaksinimi i detyrueshëm për mbi 18 vjeçarët, vaksinimi i detyrueshëm për mbi 50 vjeçarët; një bisedë këshilluese, me detyrim, për vaksinimin; heqja dorë nga detyrimi për vaksinim.

Grupet më të mëdha parlamentare, që përfaqësohen edhe në qeveri, Socialdemokratët dhe Të Gjelbrit, e mbështesin një vaksinim të detyrueshëm. Kjo e bën me gjasa të forta miratimin e njërit nga variantet e projektligjit për vaksinimin me detyrim. Nga grupet parlamentare të përfaqësuar në qeveri, të pavendosur janë kryesisht liberalët e FDP-së.

Debatin Bundestagu e quajti “debat orientues”. Kjo pasi tema e vaksinimit me detyrim është temë shumë polarizuese në Gjermani. Qeveria federale madje për këtë temë hoqi dorë nga paraqitja prej saj e një projektligji Bundestagut, siç bën zakonisht. Iniciativa iu la përfaqësuesve të popullit, deputetëve të Bundestagut.

Qëndrimin e kujdesshëm të qeverisë e argumentoi në kanalin publik ZDF ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Karl Lauterbach. Ai tha se”ky është vendim i ndërgjegjes”, është „çështje morali”. “Këtu konfrontohen të drejta bazë”.

Autoritetet në Gjermani kanë deklaruar që mbrojtja e shëndetit të personave të tjerë apo edhe e komunitetit, në mënyrë që të evitohen rreziqet e epidemive, e justifikon ndërhyrjen në paprekshmërinë fizike të një personi, kur ndërhyrja është proporcionale.

Kjo u tha në dhjetor 2021, kur në Gjermani u vendos vaksinimi me detyrim për profesione të caktuara, siç është personeli mjekësor e sanitar. Atëherë u përshtat ligji ekzistues federal kundër infektimeve.

Detyrimi për vaksinim për këto profesione do të hyjë në fuqi në 16 mars të këtij viti. Deri në këtë datë, personeli shëndetësor ka kohë që të vaksinohet vullnetarisht.

Shkaqet pse po ecën Gjermania drejt vaksinimit me detyrim

Në Gjermani ka dakordim se parakushtet më të mira të mundshme, për përballimin e pandemisë krijohen kur popullata është e vaksinuar disa herë. Edhe nëse nuk është absolute mbrojtja me vaksinat.

Më tej, autoritetet thonë se vaksinimi në Gjermani nuk po ecën aq shpejt, sa të mbrojë popullatën nga një valë e re pandemie në vjeshtë dhe nga variante të reja të koronavirusit. Shifra e vaksinimeve është më e ulët se ajo  në disa shtete evropiane.

Në Gjermani janë vaksinuar dy herë 73,8% e popullatës (75,7% janë vaksinuar një herë, 27.01.). Sipas Institutit Robert Koch vetëm 51,1 përqind janë vaksinuar për herë të tretë. Tre milionë vetë në Gjermani janë krejt të pavaksinuar.

Për krahasim: në Itali janë vaksinuar dy herë 75,9 përqind e popullatës (82,7% janë vaksinuar një herë, 27.01.). Në Francë janë vaksinuar dy herë 76,1 përqind e popullatës (79,6% një herë, 26.01.).

Dihet se çdo i pavaksinuar infekton me koronavirus jo vetëm veten, por edhe të tjerët. Aktualisht, numri i të infektuarve me Covid-19 që përfundojnë në spitale në Gjermani po rritet çdo ditë.  Kjo rritje gradualisht po mbingarkon spitalet, që detyrohen të spostojnë trajtimin e sëmundjeve të tjera. Një acarimi i mëtejshëm i situatës do të pakësonte më shumë kapacitetet për kurim, duke i vënë mjekët para dilemës së triazhës: të trajtojnë atë pacient me Covid-19 që ka më shumë shanse të mbijetojë.

Një faktor tjetër, pse vaksinimi synohet të bëhet me detyrim është faktori ekonomik.  Të vaksinuarit kanë mundësi të marrin pjesë me rrezik të vogël në aktivitetin ekonomik dhe social të vendit. Kështu autoriteteve nuk u duhet të kufizojnë jetën publike ekonomike, me pasoja për të gjithë.

Diskutime emocionante nga deputetët

Tema e masave për koronavirusin shoqërohet thuajse kudo në botë me nota emocionale. Shumë njerëz njohin dikë, një familjar apo një të njohur, që e ka pësuar nga koronavirusi. Edhe në Gjermani, diskutimet për masat janë shumë herë përballje emocionesh dhe jo shkëmbime argumentash, pasi qartësi absolute nuk ka asnjë argument.

Në Bundestag, ra në sy që deputetët u përpoqën ta paraqesin me fuqi maksimale emocionale pozicionin e tyre. Disa folën për njerëz në familje, që u kishin vdekur nga koronavirusi. Pas një diskutimi tjetër në mes të shkurtit, vendimi se a do të ketë vaksinim të detyrueshëm apo jo në Gjermani do të merret në mes të marsit.

Kjo mosngutje ka edhe një sfond psikologjik: kur njerëzit dëgjojnë se nuk kanë alternativë dhe se dikur do t’u duhet të vaksinohen me detyrim, vaksinohen vullnetarisht.

Në fakt, shumica e gjermanëve, 69% e tyre, e mbështesin futjen e vaksinimit me detyrim. Kështu u shprehën ata në një sondazh të Institutit Yougov, në nëntor 2021.

Heqja e kufizimeve përballë vaksinimit me detyrim

Masat për koronan, në shtete të ndryshme, merren duke u bazuar në vlerësimin e fakteve nga politika. Për disa shtete evropiane, si për Britaninë e Madhe dhe për Danimarkën, pandemia duket se ka mbaruar.

Në Danimarkë janë vaksinuar dy herë mbi 81,2 përqind e popullatës (83,3% një herë, 26.01.). Danimarka shpalli fundin e masave kufizuese.

Të njëjtën gjë bëri Britania e Madhe. Për këtë vend jepen shifra të ndryshme për numrin e të vaksinuarve dy herë: Our World in Data dhe Robert-Koch-Institut flasin për 70,8 përqind, të vaksinuar dy herë atje (76,6% janë vaksinuar një herë, 26.01.); 80 përqind janë vaksinuar dy herë thonë disa medie britanike. Fakt është se në Britani numri i të sëmurëve në spitale është në rënie.

Gjermania ka popullatën e dytë në Evropë përsa i përket plakjes dhe kulmi i numrit të infektimeve me variantin Omikron të koronavirusit pritet të arrihet në mes të shkurtit

Shtete të tjera, me kuota të ngjashme vaksinimi si Gjermania, siç është Austria (74,3 % të vaksinuar dy herë, 74,5% të vaksinuar një herë, 26.01.), kanë miratuar vaksinimin me detyrim. Në Austri, prej së martës (01.02.) do të ketë vaksinim me detyrim për shtetasit mbi 18 vjeç.

Edhe Italia ka miratuar vaksinimin me detyrim, për mbi 50 vjeçarët. Kurse Franca, do ta kthejë “kartën e shëndetit” me të cilën hyn ndër të tjera në bare e restorante, në “kartë vaksinimi”. Kjo do të thotë se pa vaksinim nuk do të kesh mundësi t‘i frekuentosh këto ambjente publike./DW/ KultPlus.com

Të ngjajshme