Gjinushi: Qendër elitare rajonale e kërkimit shkencor në Akademinë e Shkencave

3 Tetor, 2022 - 10:30 pm

Në Konferencën Botërore të Trendeve në Nanoteknologji, ka përshëndetur edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, i cili ka vënë theksin tek misioni bazë i Akademisë: koordinimi dhe nxitja e zhvillimit të kërkimit shkencor.

Gjinushi tha se është privilegj të organizohet për të dytin vit radhazi, ky event i madh mbi “trendet në nanoteknologji”, këtë radhë si miq të drejtpërdrejtë të qeverisë shqiptare.

Koordinimi dhe nxitja e zhvillimit të kërkimit shkencor, në tërësi, përbëjnë misionin bazë të Akademisë së Shkencave, ashtu si për çdo akademi, e ky mision kthehet në përparësi për fushat e shkencës më me perspektivë, apo ku diferencat janë më të mëdha, siç janë nano e bioteknologjia te ne, prandaj dhe mbështetja për të ardhmen e tyre përbën aktualisht sfidën më të madhe të Akademisë së Shkencave.

“Shqipëria sapo ka hyrë në fazën finale të anëtarësimit në familjen europiane e për këtë i duhet të arrijë standardet e saj edhe në arsim, veçanërisht në arsimin e lartë dhe në shkencë, të cilat janë të ndërlidhura me njëra tjetrën e kushtëzojnë njëra-tjetrën”, u shpreh Gjinushi.

Është koha që rëndësia dhe efektiviteti i zhvillimit të shkencës të shprehen me mbështetje financiare, i shoqëruar me ngritjen e fuqizimin e strukturave konkrete ku ushtrohet kërkimi shkencor, si qendra e institute, si investimi më efikas për vetërritjen e nivelit të arsimit të lartë e të ekonomisë, si mjeti më efikas për ndaljen e ikjes së trurit.

Vetë Akademia e Shkencave ka konceptuar tashmë ristrukturimin e strukturave pranë saj, ku si synim kryesor ka kthimin e njësive që funksionojnë aktualisht në qendra elitare rajonale të kërkimit shkencor, me përparësi në fushat më me perspektivë për të ardhmen e më me ndikim në zhvillimin e mendimit e të njohjes në fushat bazë të dijes, siç është nanoshkenca.

Një model për të realizuar këtë synim është Njësia NanoAlb. Ecuria e saj trevjeçare nën drejtimin e akademikut Arben Merkoçi, ka krijuar tashmë bindjen për nevojën e mundësinë për të formuar një qendër rajonale model të kërkimit këtu në Tiranë. Ajo ka treguar se te ne e në rajon tashmë ekzistojnë specialistët për të ndërmarrë një hap të tillë.

Gjinushi falenderoi ICN 2 për mbështetjen që i ka dhënë kësaj njësie. Kryetari i Akademisë së shkencave vlerësoi se punimet e kësaj konference, workshop-et që e shoqërojnë atë, si ai kushtuar bashkëpunimit Shqipëri-Japoni-Spanjë, do të forcojnë bindjen që së shpejti NanoAlb të transformohet në një qendër rajonale të nivelit të kohës dhe uroi që edhe konferenca e radhës të zhvillohet në Shqipëri./ KultPlus.com

Të ngjajshme