Gjirokastra magjike e festave të fundvitit (FOTO)

18 Dhjetor, 2021 - 11:40 pm

Në këtë fundvit, Gjirokastra e gurtë, është mbuluar nga manteli shumëngjyrësh i festave.

Qyteti, zona historike dhe ajo moderne, pazari tradicional, rrugët e kalldrëmta, komplekset e shtëpive karakteristike janë zbukuruar nga një dekor i veçantë, i cili e bën magjike dhe mbresëlënëse atmosferën e Fundvitit, për banorët dhe turistët.

Pazari karakteristik, oazi i festave

Një dekor i veçantë, dritat shumëngjyrëshe në fasadat e gurta, bredhi i festave dhe simbolikat e tjera të fundvitit e bëjnë pazarin karakteristik të Gjirokastrës, gjatë këtyre ditëve një oaz të vërtetë feste.

“Prej ditëve të para të muajit dhjetor, në gjithë qytetin dhe veçanërisht në zonën muzeale kemi vendosur dekorin festiv të fundvitit. Jemi kujdesur që dekori t’i përshtat qytetit të gurtë, me synim jo vetëm zbukurimin e mjediseve të ndryshme, por edhe shndërrimin e Gjirokastrës, në një destinacion të preferuar turistik, për festat e fundvitit”, shprehet kryetari i Bashkisë, Flamur Golemi.

Në ndryshim nga vitet e kaluara, tashmë dekori festiv  ka më shumë elementë, duke u instaluar edhe në pjesën moderne të qytetit, për t’i falur Gjirokastrës një atmosferë të veçantë në këtë fundvit.

Natyrshëm, Qafa e Pazarit dhe zona historike e qytetit, tërheqin më shumë vizitorë, duke përfshirë banorët, por edhe turistët vendas dhe të huaj.

Janë të shumta fotografitë e shkrepura mes dekorit dhe peizazhit të veçantë, që ofron kjo pjesë e qytetit. Banorë të moshave të ndryshme fiksojnë në fotografi momente nga vizita e tyre, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes.

“Falë zbukurimit për festa,t Pazari i gurtë është mjaft tërheqës, ndërkohë që menduam të shëtisnim gjatë kësaj mbrëmje me shoqërinë, në rrugët e kalldrëmta të tij”, shprehet Elda, ndërsa së bashku me një grup të rinjsh viziton zonën muzeale.

I preferuar për vizitorët e pazarit të gurtë është këndi i festave të fundvitit. Bredhi shumëngjyrësh, slita me drerë dhe simbolikat e tjera të festave tërheqin banorët veçanërisht fëmijët, të cilët nxitojnë të fiksojnë në fotografi këto momente të paharrueshme për ta.

Megjithë temperaturat e ftohta të stinës sërish zonës muzeale edhe në këtë periudhë nuk i mungojnë turistët. Në grupe familjare apo të organizuar ata udhëtojnë nga zona të ndryshme të vendit, për të prekur magjinë e festave të fundvitit, në qytetin e gurtë.

“Kam ardhur nga Shkodra së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët. Në këtë periudhë Gjirokastra është e veçantë me dekorin e festive, kështu që vendosëm të vizitojmë qytetin dhe kalanë, duke e cilësuar dhe si një udhëtim për fundvitin. Gjithçka është e bukur falë edhe dekorit, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes”, shprehet mysafiri nga Shkodra.

Bertrami është pjesë e një grupi gazetarësh dhe producentësh nga Gjermania, të cilët po vizitojnë qendrat turistike të vendin tonë, duke përfshirë edhe Gjirokastrën.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe në qytetin tuaj. Gjithçka këtu është mbresëlënëse, një dekor i veçantë që zbukuron ndërtesat historike. Është një udhëtim i vlefshëm për mua dhe kolegët e medias, sepse mendojmë që vlera të tilla duhen promovuar për turizmin ndërkombëtar”, pohon ai, ndërsa me kamerën televizive nxiton të filmojë peizazhin dhe mjedisin e festave të fundvitit në Gjirokastër.

Festat gjallërojnë turizmin

Tashmë festat e fundvitit janë kthyer në një mundësi mjaft e mirë për gjallërimin e Gjirokastrës dhe nxitjen e turizmit.

“Dekori i veçantë, organizimi i aktiviteteve të ndryshme nga bashkia në bashkëpunim me subjektet lokalë synon jo vetëm gjallërimin e atmosferës së festive, por edhe tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj në Gjirokastër, gjatë kësaj periudhe”, pohon kryebashkiaku Flamur Golemi.

Falë punës së bërë qyteti i gurtë, po vizitohet nga turistë duke qenë një destinacion i përzgjedhur këtë fundviti. Qazim Tuqi, administrator i një biznesi familjar për turizmin shprehet se, kanë patur kërkesa për akomodim gjatë periudhës së fundvitit si nga vizitorët vendas ashtu edhe të huaj.

“Falë vlerave dhe atmosferës së veçantë, tashmë Gjirokastra është një destinacion turistik i përzgjedhur, për festat e fundvitit”, shprehet ai. Mjeshtri i kulinarisë karakteristike, Dëfrim Gjoça pohon se, tërheqëse për turistët janë dhe gatimet karakteristike të tavolinës së festave të fundvitit.

“Vizitorët vendas dhe të huaj kërkojnë të shijojnë gatimet tradicionale që serviren në këtë periudhë për festat”, shprehet ai.

Vlerat e Gjirokastrës pasurojnë guidat turistike

Vlerat historike dhe arkitektonike të Gjirokastrës, po pasurojnë guidat turistike të fundvitit, duke e bërë udhëtimin më tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj. Pjesë e tyre janë resurset natyrore, traditat dhe trashëgimia kulturore në qytet dhe zonat rurale.

Vizitat në kalanë e Argjiros, Pazarin karakteristik, banesat e Zekatëve, Skëndulajve,etj  janë elementët kryesorë të guidave turistike gjatë këtyre ditëve. Eraldo Breshani, udhërrëfyes turistik, shprehet se falë vlerave të traditës por edhe atyre natyrore, në këtë periudhë të vitit Gjirokastra vazhdon të vizitohet nga turistët.

“Janë vizitorët vendas por edhe ata të huaj, të cilët për festat e fundvitit dëshirojnë të udhëtojnë drejt Gjirokastrës, duke përjetuar mbresa të paharrueshme gjatë vizitës në qytet dhe rrethinat”, pohon Eraldoja.

Vlerë e shtuar për guidën turistike është peizazhi mbresëlënës i Parkut Natyror të Viroit. Për turistët nuk mungojnë edhe udhëtimet në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, fshatrat turistike dhe objektet e trashëgimisë kulturore në zonën e Lunxhërisë, Cepos, etj, duke e bërë me afektiv udhëtimin e fundvitit, në zonën e Gjirokastrës.

Natyrshëm pjesë e ofertës turistike është edhe organizimi i eventeve kulturore, promovimi i vlerave të traditës, folklorit, gatimeve karakeristike, etj. Edhe këtë fundviti Gjirokastra do të jetë ndër destinacionet e preferuara turistikë, duke lënë mbresa të pashlyeshme për vizitorët dhe turistët. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme