Gjirokastra ndez dritat e festave të Fundvitit

8 Dhjetor, 2023 - 9:00 pm

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës ndezi mbrëmjen e djeshme dritat shumëngjyrëshe të festave.

Qyteti, zona historike dhe ajo moderne, pazari tradicional, rrugët e kalldrëmta, komplekset e shtëpive karakteristike janë zbukuruar nga një dekor i veçantë, i cili e bën magjike dhe mbresëlënëse atmosferën e Fundvitit, për banorët dhe turistët.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi ndau në rrjetet sociale pamjet e mbrëmjes festive të ndezjes së dritave të pemës së Krishtlindjes.

Dekori i veçantë, organizimi i aktiviteteve të ndryshme nga bashkia në bashkëpunim me subjektet lokalë synon jo vetëm gjallërimin e atmosferës së festive, por edhe tërheqjen e turistëve vendas dhe të huaj në Gjirokastër, gjatë kësaj periudhe.

Qafa e Pazarit dhe zona historike e qytetit pritet të tërheqin më shumë vizitorë, duke përfshirë banorët, por edhe turistët vendas dhe të huaj.

Janë të shumta fotografitë e shkrepura mes dekorit dhe peizazhit të veçantë, që ofron kjo pjesë e qytetit. Banorë të moshave të ndryshme fiksojnë në fotografi momentet nga ndezja e dritave në mbarë qytetin.

Edhe këtë fundviti Gjirokastra do të jetë ndër destinacionet e preferuara turistike, duke lënë mbresa të pashlyeshme për vizitorët dhe turistët./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme