Gjirokastra si destinacion i pashmangshëm turistik

9 Shtator, 2020 - 8:17 pm

Në Manastirin e Spilesë në Lunxhëri, një atraksion me vlera të rralla në Lunxhëri, që tërheq jo thjesht besimtarët, por edhe turistët që vijnë në Gjirokastër u festua festa e Shën Mërisë.

Në ritet e kësaj feste ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, i cili tha se “ikonostasi dhe afresket e kishës sipas studiuesve datojnë prej viteve 1600, dëshmi kjo e një trashëgimie që do ta kishte zili kushdo”.

“Gjirokastra është një ansambël i madh me monumente kulturore jo vetëm në qytet, por edhe në fshatrat përreth, prandaj mbetet një destinacion turistik i pashmangshëm për të huajt dhe vendasit. Edhe pse jemi në një vit të vështirë për shkak të pandemisë dhe kufizimeve që tashmë dihen, kryesisht fundjavat në Gjirokastër vijojnë të sjellin vizitorë”, – nënvizoi Golemi.

Kreu i bashkisë së Gjirokastrës u shpreh se “më e mira është përpara sapo të çlirohemi njëherë e mirë nga COVID-19. Ne po punojmë me investimet e duhura infrastrukturore dhe projektet zhvillimore në mënyrë që zgjasim ditët e qëndrimit në Gjirokastër dhe të tërheqim gjithnjë e më shumë turistë”.

Pjesë e kësaj feste ishte jo vetëm promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore, por edhe të Manastirit të Spilesë, folklorit, artizanatit, kulinarisë etj.

Lunxhëria e vendosur në faqen e malit me të njëjtin emër përballë Gjirokastrës është një prej krahinave më të pasura në Shqipëri me burime, bukuri natyrore, monumente kulture, kisha, manastire dhe sidomos banesa origjinale e madhështore të ndërtuara me gur të zi. Banorët e kësaj zone njihen në të gjithë Jugun për traditën e pasur folklorike, panairet tregtare, kulinarinë dhe mikpritjen.

Të ngjajshme