Gjocaj: Po presim me sy dhe vesh kur po ik virusi dhe kur po kthehemi në punë

6 Maj, 2020 - 9:00 pm

Qendrim Badalli

Pandemia botërore që preku Kosovën ka ndaluar një varg aktivitetesh kulturore. Edhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” i është dashur që të ndërpres përkohësisht një pjesë të aktiviteteve të planifikuara kurse për një pjesë tjetër të gjej rrugë alternative, shkruan KultPlus.

Drejtori i AKKV “Shota”, Shefqet Gjocaj, në një prononcim për KultPlus ka treguar specifikisht për koncertet që janë anuluar si shkak i pandemisë.

“Ne kemi pasur planin artistik i cili është anuluar për shkak të pandemisë. Janë anuluar dy programe që kemi pasur në plan, koncerti i pranverës dhe një koncert që e kemi menduar për Nexhmije Pagarushës. Janë anuluar po ashtu edhe pjesëmarrja jonë në festivalet ndërkombëtare të cilat ishin të konfirmuara, njëri në Belgjik dhe tjetri në Turqi”.

Megjithatë, edhe në rrethanat e jashtëzakonshme të krijuara nga pandemia Ansambli “Shota”, gjeti rrugë për të qenë afër publikut.

“Në ndërkohë Ansambli Shota ka gjetur një formë deri diku të kompenzimit të koncertit të pranverës duke organizuar një koncert online i cili është realizuar nga orkestra dhe këngëtarët tonë dhe është shfaqur përmes platformave online”.

Në fund, Gjocaj tha se pritja vazhdon duke uruar për një rikthim të shpejt në punën e tyre të zakonshme.

“Po presim me sy dhe vesh kur po ik virusi dhe kur po kthehemi ne në punë. E gjitha cfarë mund të them është të uroj që kjo të përfundoj sa më parë dhe të shpresojmë që të fillojmë nga qershori me punën dhe të mos humbim të paktën koncertin qe kemi planifkuar për Ditën e Fëmijëve”  / KultPlus.com



 

Të ngjajshme