10 Korrik, 2025 - 1:00 pm
Gjon Mili Jazz & Blues Festival vijon rrugëtimin e tij me të tjerë artistë. Sot është radha e Andi Kongo Trio dhe Swing Strings, drejtuar nga Pjetër Guralumi. Ndërkohë Instituti Italian i Kulturës njoftoi edhe pjesëmarrjen e trombistit Fulvio Sigurtà.
Ky është edicioni i katërt i Festivalit të xhazit dhe bluzit “Gjon Mili” dhe këtë vit zhvillohet tek instalacioni “Reja”, ku hyrja është e lirë për këdo.
Trombisti Fulvio Sigurtà, i cili sonte do të performojë për publikun e Tiranës, u formua artistikisht pranë Konservatorit “L. Marenzio” në Brescia, shkollës së muzikës “Berklee” në Boston dhe shkollës së muzikës “Guildhall” në Londër, qyteti ku jetoi më pas nga viti 2003, deri në vitin 2019.
Ai ka bashkëpunuar artistikisht në projekte të një natyre shumë të larmishme, duke nisur nga formacionet klasike dhe Big Band, deri te produksionet që takojnë teatrin, baletin bashkëkohor dhe muzikën elektronike, duke bashkëpunuar me emra të rëndësishëm të skenës kombëtare dhe ndërkombëtare të xhazit. Aktiviteti i tij si sideman (muzikant mbështetës) përfshin më shumë se 40 albume.
Që nga viti 2015, punon si docent pranë Konservatorit të Rovigos dhe në seminaret verore të Siena Jazz dhe Nuoro Jazz./atsh/KultPlus.com