Gjykata Themelore e Mitrovicës gjobiti aktivistet për grafitet kundër dhunës ndaj grave, Gjykata e Apelit e anulon këtë vendim

14 Dhjetor, 2021 - 11:27 am

Me nga 100 euro gjobë ishin dënuar aktivistet e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, pas grafiteve Haram është me i mshelë gratë! Dhunuesit e grave në burg! ; Virgjiniteti është shpikje e burrave! ; Gruja nuk o rob i burrit! ; Gratë e kanë vendin kudo që dojnë! ‘; Trupi jem e drejta jem! ‘; Ai që të don, nuk të rreh!, por të njëjtin vendim e ka anuluar Gjykata e Apelit, shkruan KultPlus.

Për këtë vendim ka njoftuar vetë organizata, dhe më poshtë po e sjellim të plotë njoftimin mbi këtë ngjarje.

GJYKATA E APELIT ANULON AKTGJYKIMIN QË I CILËSOI SI TË TURPSHME GRAFITET E KOLEKTIVIT FEMINIST

Dje, me 13 dhjetor 2021, aktivistet/ët e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist pranuan vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilën u anulua aktgjykimi që u shqiptoi gjobë për kundërvajtje katër aktivisteve/ëve të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist të përfshirë/a në aksionin e grafiteve kundër shtypjes dhe dhunës ndaj grave.

Haram është me i mshelë gratë! Dhunuesit e grave në burg!

Virgjiniteti është shpikje e burrave!

Gruja nuk o rob i burrit!

Gratë e kanë vendin kudo që dojnë!

Trupi jem e drejta jem!

Ai që të don, nuk të rreh!

Këto grafite Gjykata Themelore në Mitrovicë i kishte cilësuar si të turpshme, duke i gjobitur secilin/ën veç e veç me nga 100 euro gjobë. Katër aktivistët/et, të përfaqësuar nga Avokatja Rina Kika parashtruan ankesë të përbashkët ndaj këtij vendimi duke e kontestuar ligjshmërinë e tij.

Gjykata e Apelit e aprovoi si të bazuar ankesën e përbashkët të aktivistëve dhe e anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, duke kthyer kështu lëndën në rivendosje. Gjykata e Apelit ka kërkuar që Themelorja të vërtetojë se kush është ofenduar e turpëruar nga grafitet dhe të konstatojë nëse qëllimi i aktivistëve/eve ka qenë prishja e qetësisë publike.

Në ankesë mes tjerash theksohet: “Mbishkrimet feministe në Mitrovicë kanë pasur për qëllim të ngrisin vetëdijen shoqërore ta ndryshojnë mendësinë shtypëse ndaj grave e cila është shkaku rrënjësor i dhunës që e përjetojnë gratë për çdo ditë. Aktgjykimi i gjykatës që i cilëson si të turpshme këto mbishkrime është mohim i këtij problemi kaq të madh, për të cilin nuk flitet sa duhet.” Ndërkaq për sa i përket çështjes se kush mund të jetë ofenduar e turpëruar nga grafitet, në ankesë theksohet: “Ndoshta burrat që i mbyllin gratë në shpi, dhunuesit e grave, burrat që i konsiderojnë gratë rob, ata që mendojnë se i takon të përcaktojnë se ku e ka vendin gruaja si dhe ata që i rrahin gratë janë ndier të ofenduar dhe mbase edhe i kanë konsideruar si të turpshme këto mbishkrime. Por është krejtësisht absurde që një Gjykatë në Kosovë t’i konsiderojë këto mbishkrime të turpshme dhe ofenduese, t’i cilësojë si kundërvajtje dhe ta censurojë përmbajtjen e tyre me gjobë.”

Vendimi i Gjykatës së Apelit që ka aprovuar si të bazuar këtë ankesë, dëshmoi se aktgjykimi i Themelores i bazuar në vlerësimin e grafiteve nga Policia si “të turpshme” si cak të vetëm kishte disiplinimin e aktivitetit feminist. Andaj, ne si aktiviste/ë feministe/ë do ta vazhdojmë rezistencën tonë të përbashkët në kundërshtim të dhunës dhe shtypjes ndaj vajzave dhe grave dhe identiteteve tjera të paprivilegjuara në vend dhe kudo tjetër./ KultPlus.com

Të ngjajshme