GKK shpreh ngushëllime për vdekjen e Mulliqit/ Vlerësohet kontributi i tij si drejtor i Galerisë Kombëtare: Ngriti institucionet e kulturës

22 Tetor, 2023 - 12:39 pm

Galeria Kombëtare e Kosovës u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe komunitetit artistik, me rastin e vdekjes së Akademikut dhe ish-Drejtorit te Galerisë Kombëtare, Luan Mulliqit, shkruan KultPlus.

GKK përmes një postimi në facebook, ka thënë se Luan Mulliqi përmes kontributit të tij, të dhënë si Drejtor i Galerisë Kombëtare, i ka ngritur institucionet e Kulturës.

“Luan Mulliqi (l. 1953) ushtroi detyrën si Drejtor i Galerisë Kombëtare prej vitit 1999 deri në vitin 2009, ku kontributi i tij ngriti institucionet e kulturës.

Luan Mulliqi që nga viti 1977 ishte anëtar i SHAFK si dhe anëtar i SHA të Çikagos, SHBA (1990), ndërsa në vitin 1992 pranohet anëtar i “United American Artist” në Nju Jork të SHBA-ve si dhe anëtar i rregullt i “International Sculpture Center” në Uashington (1994). Ka marrë pjesë në simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar si dhe ka botuar shumë shkrime për skulpturën monumentale. Ka përgatitur dhe botuar dy monografi për artin pamor në Kosovë”, thuhet nga GKK.

Për shumë vite Akademik Mulliqi ,punoi ligjërues në Universitetin e Tetovës dhe në Universitetin e Prishtinës, përderisa veprat e tij gjenden në shumë koleksione publike dhe private./KultPlus.com

Të ngjajshme