11 Korrik, 2025 - 4:22 pm
Jonid Jorgji është emëruar kryetar i Qendrës Kinematografike Shqiptare.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përshëndeti emërimin e Jonid Jorgjit në krye të Qendrës Kinematografike Shqiptare, një figurë e njohur për përkushtimin ndaj zhvillimit të industrisë së filmit dhe mbështetjes së artistëve të rinj.
Jonid Jorgji ka ndjekur studime në fushën e Filmit dhe ka mbi një dekadë përvojë në media, kinema dhe menaxhim kulturor. Prej vitit 2009, është President i Shoqatës së Kineastëve të Rinj Shqiptarë, ku ka qenë i angazhuar në fuqizimin e artistëve të rinj dhe në nxitjen e krijimtarisë së tyre. Në vitin 2016 themeloi EJF Production, një kompani prodhimi audioviziv që ka realizuar filma, dokumentarë, reklama dhe projekte multimediale.
Nga viti 2022, Jonidi ka drejtuar Agjencinë e Industrive Kreative pranë Bashkisë së Tiranës, duke mbikëqyrur projekte kyçe si Qendra e Artit Agimi, Kinemaja Maks Velo, Tirana Film Office, MicroFolie Tirana dhe Rezidenca Nomade e Artit.
Ministri Gonxhja u shpreh se, nën drejtimin e Jonid Jorgjit, këto nisma janë kthyer në pika referimi për zhvillimin e industrive krijuese dhe ekonomisë kulturore në kryeqytet.
“Kombinimi i përvojës menaxheriale, sjell në këtë rol një vizion të qartë për të forcuar skenën filmike shqiptare, për të mbështetur prodhimet vendase dhe për ta çuar më tej bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kinematografisë dhe industrive kreative”, u shpreh kreu i MEKI-t.
Ky emërim vjen në një moment të rëndësishëm për zhvillimin e industrisë kreative në vend, në kuadër të procesit gjithëpërfshirës të nisur nga MEKI për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Ekonominë Kreative, në bashkëpunim me aktorë kombëtarë e ndërkombëtarë. Në fokus të këtij procesi janë rishikimi i kuadrit ligjor për sektorin kinematografik dhe audiovizual, rritja e mbështetjes publike për krijimtarinë vendase, krijimi i mekanizmave lehtësues për zhvillimin e tregut dhe nxitjen e investimeve në fushën e prodhimit audiovizual./atsh/KultPlus.com