31 Korrik, 2025 - 3:11 pm
Këshilli i Ministrave miratoi shpalljen e qytetit të Konispolit si Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore.
“Ky vendim i hap rrugën mbrojtjes, restaurimit dhe promovimit të kësaj qendre me trashëgimi të rrallë”, shkroi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një publikim në rrjetet sociale.
Konispoli përfaqëson një identitet të rrallë urban dhe kulturor në jug të Shqipërisë. Banesat e tij tradicionale, datojnë në shek. XIX-XX. Në të ka gjurmë të pazarit të vjetër, arkitekturë karakteristike me gurë të punuar, rrugica me kalldrëm, e deri dhe lagje me emra fisesh dhe vendbanimet antike në Qafën e Ktismave.
“Gjatë historisë, Konispoli ka qenë vatër rezistence dhe kulture kombëtare, ndërsa sot ky status i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm përmes turizmit kulturor dhe mbrojtjes së trashëgimisë sonë”, u shpreh ministri Gonxhja, sipas të cilit, vendimi i sotëm vjen si rezultat i punës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, për të garantuar ruajtjen dhe valorizimin e pasurive të paluajtshme me vlera të veçanta./atsh/KultPlus.com