Gonxhja: “Onufri” i Beratit, çdo ditë mikpret qindra vizitorë

30 Korrik, 2025 - 10:28 am

Të shumtë janë vizitorët që shohin nga afër pasuritë që ruan në fondin e tij Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh se janë me qindra vizitorë nga e gjithë bota, që çdo ditë mikpriten nga “Onufri”, i cili u ofron atyre një përvojë të pasur shpirtërore dhe artistike përmes ikonave të rralla dhe audioguidës në disa gjuhë të huaja.

Muzeu Ikonografik “Onufri” ndodhet në qendër të lagjes së banuar në kalanë e Beratit. Ai është përshtatur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Shën Marisë”. Arkitektura ku është vendosur muzeu është kisha më e madhe e lagjes Kala. Ajo ka qenë Katedralja e qytetit të Beratit dhe së bashku me ndërtesat e Mitropolisë formonte një kompleks arkitektonik.

Nga ky kompleks ka mbetur vetëm kisha, e cila është ndërtuar në vitin 1797, por që mendohet se është rindërtuar mbi themelet e një kishe më të vjetër. Nga të dhënat historike, dimë se Katedralja ka funksionuar si e tillë deri në vitin 1967, viti i reformës ateiste, kur mjediset e komuniteteve fetare kaluan nën administrimin e shtetit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo, piktorët me mbiemër Çetiri e shumë piktorë të tjerë anonimë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme