Gonxhja: Shkodra Elektronike rrëmbeu zemrat e publikut anembanë, e nderuan Shqipërinë

18 Maj, 2025 - 5:33 pm

Në skenën e Eurovision 2025 në Bazel mbrëmjen e djeshme, Shqipëria u përfaqësua nga grupi ‘Shkodra Elektronike’ që interpretoi këngën “Zjerm”, një krijim unik që bashkoi elementë të muzikës elektro-pop me motive tradicionale shqiptare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja reagoi me një postim në rrjetet sociale, në të cilin u shpreh se “Shkodra Elektronike rrëmbeu zemrat e publikut anembanë, duke u votuar si një nga performancat më të preferuara të këtij Eurovisioni”.

“Beatriçe dhe Kolë sollën në skenë jo vetëm muzikë, por një valë të pastër emocionesh që preku zemrat e miliona shikuesve duke e ngritur artin shqiptar në nivelet më të larta! Për ne, ata janë fituesit sepse nderuan Shqipërinë përgjatë gjithë këtij rrugëtimi, me dinjitet, pasion dhe klas! Bravo! Krenohemi me ju”, u shpreh Gonxhja.

Austria u shpall fituese e Eurovision 2025, ndërsa Shqipëria u rendit e 8-ta me 218 pikë, nga të cilat 173 pikë erdhën nga publiku./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme