20 Maj, 2025 - 11:42 pm
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato mori pjesë në çeljen e ekspozitës së Bulevard Art Media Institute, kushtuar lirisë.
Gonzato u shpreh se, “arti është një nga mjetet më të fuqishme që kemi për të frymëzuar pranimin, dialogun dhe përfshirjen”.
“Dje, me mbështetjen e BE-së dhe përkushtimin e Valentina Bonizzi dhe kuratorëve të tjerë, Bulevard Art Media Institute hapi një ekspozitë të dedikuar lirisë: lirisë për të ekzistuar; lirisë për të dashuruar; lirisë për të folur hapur për barazi”, theksoi ai në një postim në rrjetet sociale.
“Duke u fokusuar në kreativitetin dhe përvojat personale të artistëve queer, ekspozita sjell së bashku vepra nga talente shqiptare dhe ndërkombëtare, duke nxitur një shprehje të fuqishme kolektive”, nënvizoi Gonzato.
“Për mua, ishte një moment i veçantë për të rikonfirmuar një të vërtetë të thjeshtë: në një shoqëri të drejtë dhe të barabartë, ka vend për të gjithë ne, pavarësisht kë dashurojmë”, shtoi ai./atsh/KultPlus.com