Gramoz Berisha dhe nëna e tij para lokalit ku 21 vjet më parë u vranë dhe u dogjën 52 familjarët e tyre

26 Mars, 2020 - 2:15 pm

Me 26 mars të vitit 1999, vetëm dy ditë pasi NATO, filloi bombardimet kundër forcave ushtarake e policore serbe, në qytetin e Suharekës, ndodhi një prej masakrave më të rënda në Kosovë.

Këtë ditë forcat serbe vranë 52 anëtarë të familjes Berisha. Nga kjo tragjedi mbijetuan vetëm tre prej tyre. Në mesin e tyre Gramozi, atëherë 8 vjet, nëna e tij dhe Shyhretja, gruaja e një familjari.

Sot, bëhen 21 vite nga kjo masakër dhe Gramozi e kujton këtë ditë të kobshme për familjen e tij.

Në rrjetin e tij social Facebbok, Gramozi ka ndarë një fotografi ku shihet i përqafuar me nënën e tij teksa qëndrojnë para lokalit ku para 21 vite u vranë 52 familjarë të tyre.

“21 vjet pas…”, shkruan Gramozi në mbishkrimin e fotografisë.

Ditën që ndodhën vrasjet, Gramoz Berisha ishte me familjen e tij, kur policë serbë ia vranë babanë, Sedatin, vëllanë, Drilonin 13 vjeç, dhe motrën Dafinën që kishte mbushur 16 vjet.

Forcat policore serbe kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të grave dhe fëmijëve të familjes Berisha, të cilët i kishin ngujuar në një lokal.

Shumica u vranë në vend nga plumbat dhe mjetet eksplozive që u hodhën brenda lokalit që ishte përplot me njerëz. I ngujuar në lokal ishte edhe Gramozi, atëherë vetëm 8 vjeç. Ai u plagos në njërin krah.

“Ashtu kanë vazhduar njëjtë, i kanë kapur një nga një trupat. Kur ka ardhur radha te unë, jam frikësuar në fillim mos po më kapin për këtë krahun e plagosur edhe kisha reaguar në moment, por më kanë kapur për krahun tjetër, më kanë qit në lesë dhe më kanë gjuajtur në kamion. Përmbi mua kanë gjuajtur trupa të tjerë”, thotë Gramozi.

Të mbuluar me trupa të vdekur

Pasi ekzekutuan gratë dhe fëmijët që ishin në lokal, forcat serbe, ngarkuan trupat në një kamion dhe i nisën në drejtim të Prizrenit.

I rrethuar nga trupat e vdekur, Gramozi pa se nëna e tij, Vjollca, dhe gruaja e një familjari, Shyhretja, ende ishin gjallë.

“Gjatë rrugës e kam dëgjuar një bisedë, mami me Shyhreten duke folur, duke komunikuar mes vete, por unë prapë nuk kam guxuar ta ngre kokën duke menduar që e kemi dikë në kamion edhe mund të merret vesh. Kam qëndruar ashtu, pa lëvizur hiç. Gjatë rrugës, mami ma ka njohur jaknen që kam qenë i mbuluar dhe ka thënë t’ia shoh bile për herë të fundit fytyrën. Kur më ka kthyer kah vetja, unë i kam çelë sytë. Ka thënë: “Mozi, a je gjallë?”. I kam thënë po. Ka thënë hajde me mamin kërcejmë prej kamionit se këta na shtinë në ndonjë gropë dhe s’mund të dalim pastaj”, kujton Gramozi.

Gramozi, nëna e tij, Vjollca dhe familjarja tjetër, Shyhretja arritën që të kërcenin nga kamioni duke u bërë kështu tre të mbijetuarit e vetëm.

Përgjatë këtyre 20 vjetëve, Gramozit nuk i është larguar nga kujtesa momenti kur në kamion kishte mbetur ende një fëmijë i gjallë.

“Afër meje e kam pasur një djalë në gjeneratë me mua, Miratin, ai ka qenë gjallë edhe në kamion. Jemi munduar ta marrim bashkë me mamin, i thamë: “Eja me ne të kërcejmë”. Ai filloi të bërtasë dhe tha: “Jo nuk po dua, vetëm largoma këtë trupin”. Atij ia kishin qitë një trup përmbi, s’mund të merrte frymë. “Veç largoma këtë se s’po dua. Po dua të shkoj me mamin”, vazhdon Gramozi rrëfimin e tij.

Ditën e sulmit, forcat policore serbe vranë gjithsej 52 anëtarëve të familjes së ngushtë Berisha, 24 prej tyre ende mbesin të pagjetur, në mesin e tyre edhe motra e Gramozit, Dafina. / KultPlus.com

Të ngjajshme