Gratë i përdornin dhëmbët si vegla katër mijë vjet më parë

6 Nëntor, 2020 - 12:20 pm

Një studim i dhëmbëve të 106 individëve të varrosur në lokalitetin arkeologjik Castellón Alto (Granada, Spanjë) ka zbuluar se gratë i përdornin dhëmbët e përparmë si mjet për të bërë fije e kordha.

Ndërmjet viteve 2200 dhe 1550 para erës sonë, kultura e El Argarit u zhvillua në juglindje të Siujdhesës së Iberisë. Dihet mirëfilli se kjo ishte shoqëri komplekse që praktikonte diferencimin shoqëror të mbështetur në gjini, moshë e specializim në detyra të tilla si zejet – që nënkupton punën me qeramika, tekstile e metale. Kjo njohuri është riafirmuar nga një studim i ri i botuar së fundmi në “Journal of Archeological Science”, transmeton KOHA.

Ky studimi ka gjetur se dhëmbët e përparmë të grave përdoreshin për të bërë fije e kordha për prodhimin e tekstileve dhe shportave. Përveç kësaj, studimi ka treguar se gratë e mësonin zejen qysh në adoleshencë dhe vazhdonin punën gjatë gjithë jetës, ashtu që dhëmbët e grave më në moshë kanë më së shumti dëmtime. Diçka e tillë nuk është hasur në dhëmbët e burrave.

Zbulimi tjetër i studimit është dëshmia që, në fund të epokës së bronzit, që i bie 4000 vjet më parë, kishte një ndarje të dyfishtë të punës: një grup i vogël njerëzish u dedikoheshin zejeve në bërjen e fijeve (baza e prodhimit të tekstileve), dhe ky grup përbëhej ekskluzivisht prej femrave që përdornin dhëmbët e tyre si vegla.

Po ashtu, marrë parasysh faktin se kjo dukuri është identifikuar në mbetjet e individëve në mosha të ndryshme, mund të merret me mend se ky specializim fillonte në adoleshencë dhe gratë vazhdonin ta performonin këtë detyrë gjatë jetës së tyre. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme