‘Gratë në të zeza’ protestojnë sot në Serbi kundër racizmit ndaj shqiptarëve

21 Mars, 2021 - 11:58 am

Në ditën Ndërkombëtare Kundër Racizmit, organizata “Gratë në të zeza” në Serbi, do të marshojë sot kundër racizmit dhe fyerjes ndaj shqiptarëve.

Sipas një njoftimi në Facebook nga kjo organizatë, bëhet e ditur se ky aksion do të organizohet mesditën e sotme, në rrugën “Knez Mihailova” në Serbi.

“Gratë në të zeza” deklarojnë se gjuha e përdorur nga përfaqësuesit më të lartë të Serbisë në komunikimin zyrtar, e legalizon gjuhën e urrejtjes dhe e shkel Kushtetutën.

“Me rastin e albanofobisë në rritje në Serbi, “Gratë në të zeza” po organizojnë një aksion anti-racist më 21 Mars – Ditën Ndërkombëtare kundër Racizmit, në rrugën Knez Mihailova, nga ora 13:00 deri në 13:30. Ne dënojmë ashpër gjuhën e urrejtjes, intolerancën dhe ksenofobinë kundër komunitetit shqiptar në Serbi, si dhe kundër shqiptarëve të Kosovës. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Serbisë po prezantojnë termin racist dhe diskriminues ‘Shiptar’ në komunikimin zyrtar. Kjo legalizon gjuhën e urrejtjes shoviniste dhe raciste dhe shkel Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftimin për aksionin e sotëm, transmeton Express.

“Gjatë aksionit skenik “Stop Racizmit”, ne do të rendisim vetëm disa shembuj të politikës shtetërore që stigmatizon komunitetin shqiptar! Sa më shumë gjuhë të dini, aq më shumë vleni – ne mësojmë shqip! Nëse doni të shkoni, nëse doni ta bëni – mos u shqetësoni!”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin për aksionin e sotëm janë fjalimi i deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi në gjuhën shqipe, si dhe dënimi i kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, Ragmi Mustafa, për ngritjen e flamurit shqiptar në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar më 28 nëntor të vitit 2019.   

“Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, u drejtua në gjuhën e tij amtare më 9 shkurt 2021 në Kuvendin e Republikës së Serbisë. Deputetët e ndërprenë atë me thirrje. “Ligji për Asamblenë Kombëtare të Republikës së Serbisë nga viti 2010 përcakton të drejtën e adresimit në gjuhën amtare”. Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, i thirrur në Gjykatën e Kundërvajtjes në Vranje, akuzohet për shkelje të ligjit për flamurin e Serbisë sepse më 28 nëntor 2020 ka ngritur flamurin shqiptar në selinë e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Bujanovc. “Kushtetuta e Serbisë, neni 79 përcakton që pakicat kombëtare përcaktojnë simbolet e tyre dhe kanë të drejtë t’i shfaqin ato””, thuhet në njoftim. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Të ngjajshme