Gruaja e Agim Ramadanit: E kemi pas të ndaluar me ligj të martohemi

12 Prill, 2021 - 6:36 pm

Shukrie Ramadani, bashkëshortja e heroit Agim Ramadani, e ftuar në emisionin “Frontal” në T7, thotë se vazhdon të jetojë me dhimbje. Teksa shton se ëndrra e Agimit dhe të tjerëve për pavarësinë e Kosovës është arritur.

Në një rrëfim të rrallë, Shukrie Ramadani, tregon sesi u njoh me Agim Ramadanin dhe pse e kishin të ndaluar me ligj të martoheshin.

“Nga klasa e parë njihemi me Agimin, jemi të të njëjtit fshat nga Zhegra e Gjilanit. Jemi rritur bashkë edhe në shkollë fillore edhe në të mesmën. Ishim ndër çiftet e pakta që e kemi pas të ndalur me ligj të martohemi. Agimi ka qenë i kërcënuar që në rast se martohet me mua do ta përjshatojnë nga Akademia Ushtarake, edhe unë isha e dënuar”, tha ajo në Frontal, transmeton Gazeta Express, përcjell KultPlus.

Ajo tha se gjatë kohës sa ka qenë Agim Ramadani në Akademinë Ushtarake, letrat ia ka dërguar në emër të një gruaje serbe.

“Kur ja dërgoja letrat i shkruaja në emër të një serbeje që në shqip emri i saj nënkupton Yllka sepse e doja atë emër, derisa u kry Akademia Ushtarake ashtu i kam dërgu letrat”, shtoi ajo.

“Kur e kreu Akademinë Ushtarake, ditën e parë të dielë e planifikuam të martohemi…Për pesë vite sa isha e fejuar kam bërë shumë çejiz…Kemi pas vazhdimisht sfida të shumta. Pas Akademisë, ajo që mund t’i bënin Agimit ishte mosdhënia e gradave, banesës etj. Por e kishim njëri-tjetrin”, u shpreh ajo.

Teksa shtoi se më pas e kanë krijuar familjen, dy djemtë dhe një vajzë.

“Si e dënuar nuk kisha të drejtë të kisha pasaportë”, tha ndër të tjera./gazetaexpress/ KultPlus.com

Të ngjajshme