Hajni ia kthen pronarit violinën 310 vjeçare

3 Nëntor, 2019 - 2:30 pm

Një violinë antike 310 vjeçare në vlerë prej gati 290 mijë euro që ishte vjedhur në një tren në Londër, i është kthyer pronarit pa ndonjë dëmtim.

Muzikanti profesionist Stephen Morris, që tha se ishte “shkatërruese” humbja e instrumentit të punuar nga zejtari David Tecchler më 1709, raportoi humbjen e saj më 22 tetor, raporton “The Guardian”.

Pas lajmit për kthimin e violinës, lajm të cilin e dha përmes Twitterit, Morris shkroi: “Violina ime është në shtëpi dhe e sigurt! Faleminderit për mbështetjen e madhe”.

Nën mbikëqyrjen e Policisë të veshur me rroba civile, violina i ishte dorëzuar Morrisit në një parking veturash në Beckenham të premten mbrëma pasi policia kishte identifikuar të dyshuarin, transmeton KultPlus.

BBC-ja ka raportuar se personi që e kishte marrë violinën kishte kërkuar falje dhe kishte thënë se ka gabuar. Morris tha për BBC-në: “Ndihem pak i mërzitur… s’kam fjetur mirë që kur më humbi violina. Ai kërkoi shumë falje, tha se deshi të ma jepte mua personalisht”.

Policia publikoi pamjet e kamerave të sigurisë të një personi që besonin të ketë lidhje me incidentit, e më pas një person i dërgoi një porosi direkte Morrisit në Twitter duke e identifikuar të dyshuarin.

Policia tha se nuk do të marrë masa tjera ndaj personit të dyshuar, pasi që ai ia kishte kthyer vetë Morrisit violinën: “S’ka pasur mundësi të ketë përfundim më të lumtur”, tha muzikanti. / KultPlus.com

Të ngjajshme