Hajrulla Çeku merr zyrtarisht detyrën e ministrit: Pretendojmë ta largojmë vëmendjen nga politika

23 Mars, 2021 - 3:34 pm

Në Qeverinë e re të Kosovës me Albin Kurtin kryeministër, dje është vendosur që Hajrulla Çeku të udhëheqë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila deri më tani ishte udhëhequr nga Vlora Dumoshi.

Për të marrë zyrtarisht pozitën e re, sot në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u bë dorëzim-pranimi i detyrës së Ministrit të ri të Kulturës, por që Vlora Dumoshi nuk ishte e pranishme për dorëzimin e detyrës, shkruan KultPlus.

Zëvendësministrat në largim, Engelbert Zefaj dhe Qazim Rrahmani, i kanë dorëzuar detyrën Ministrit të ri të Kulturës duke e uruar atë për marrjen e detyrës dhe duke i dëshiruar sukses dhe përmbushje të objektivave dhe realizim të planeve gjatë udhëheqjes së MKRS-së.

“Jam mëse i bindur se do të keni sukses në rrugëtimin e juaj”, u shpreh Zefaj gjatë dorëzimit të detyrës ministrit të ri.

Tutje Zefaj u shpreh se në Ministrinë e Kulturës gjatë vitit 2020 është punuar shumë, por që pandemia sfiduese e ka dëmtuar punën e ministrisë për shkak të mungesës së aktiviteteve.

Ndërsa ministri i ri, Hajrulla Ceku, pasi falënderoi Engelbert Zefaj dhe Iber Alajn, sekretarin e përhershëm në Ministrinë e Kulturës, për pritjen, ai nuk harroi të shpreh falënderimet e tij edhe për punën që ka bërë Dumoshi.

“Pres që të kemi koordinim për punë për tu sistemuar për përgjegjësinë që kemi marrë. Falënderoj të gjithë ata që më dhanë besimin për të shërbyer në këtë institucion nga ku pretendojmë ta largojmë vëmendjen nga politika. Zotohem që punët e mira të vazhdojnë tutje me dinamikë dhe energji të reja të njerëzve që do të vijnë”, tha Çeku. / KultPlus.com

Të ngjajshme