“Hapësirat e përbashkëta” projekti i ri nga Autostrada Biennale

26 Shtator, 2022 - 5:15 pm

Tashmë është lansuar projekti i ri i Autostrada Biennale titulluar “Hapësirat e Përbashkëta” e cila mbështetet nga Ambasada e Amerikane në Prishtinë në kuadër të projektit Komisioni për Demokraci, dhe bashkëfinancuar nga Komuna e Prizrenit, përcjell KultPlus.

Është nënshkruar marrëveshje e bashkëfinancimit me Shaqir Totaj – Kryetar i Komunës së Prizrenit, Kelsey De Rinaldis – Ushtruese e detyrës së Zyrtares për Marrëdhënie me Publikun nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, dhe Leutrim Fishekqiu – Bashkëthemelues i Autostrada Biennale.

Si vazhdimësi e programit të edukimit dhe prodhimit të Autostrada Hangar në ITP Prizren, do të zhvillohet projekti i quajtur “Hapësirat e Përbashkëta”, i cili do të shërbejë si vend takim për të rinjtë dhe komunitetet e ndryshme, ku do të kenë mundësinë të kultivojnë komunikimin ndër-etnik mbi çështjet sociale, kulturore, ekonomike ose mjedisore në nivel lokal.

Përmes edukimit, trajnimit dhe prodhimit të hapur drejt ekspozimit, synimi i tyre është të zhvillojnë modele të reja të prodhimit kulturor që fuqizojnë sektorin krijues si një motor për zhvillim të qëndrueshëm.

Të rinjtë do të bëhen pjesë e dizajnimit dhe krijimit të hapësirave të përbashkëta, në këtë mënyrë ata do të bëhen pjesë e zhvillimit, për të sjellë diskutime dhe ndryshime pozitive. Ky program i edukimit do të jetë një mundësi unike për të rinjtë që t’i shprehin dhe realizojnë idetë e tyre.

Hapësira me dy studiot e saj, punëtorinë e dizajnit industrial dhe laboratorin teknologjik, përmes programit të saj të edukimit do të angazhoj ekspertë në fushat e tyre dhe do të ketë një ndikim afatgjatë tek të rinjtë për profesionet e së ardhmes në lidhje me artin, teknologjinë dhe inovacionin. / KultPlus.com

Të ngjajshme