Hapet “Autostrada Hangar”, i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren

7 Mars, 2022 - 5:14 pm

Pas suksesit në edicionin e tretë të Autostrada Biennale, është angazhuar në institucionalizimin e “Autostrada Hangar” si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren i cili do të filloj me program të saj vjetor.

Kjo hapësirë multi-funksionale cilësohet se do të jetë vend i cili do t’i plotësoj nevojat e komuniteteve të ndryshme duke e konsideruar prodhimin e artit si formë të qëndrueshme e të mësuarit dhe shkëmbimit.

“Autostrada Hangar” synon të gjenerojë bashkëjetesë midis komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si ekip dhe do të angazhohet për të plotësuar nevojën urgjente për edukim joformal dhe programe të zhvillimit të shkathtësive, për të fuqizuar të rinjtë e Kosovës dhe të rajonit.

Hapja solemne filloi me fjalimin mirëseardhës të bashkë-themeluesve të Autostrada Biennale: Vatra Abrashi, Baris Karamuco dhe Leutrim Fishekqiu, të cilët shpalosën procesin e krijimit të Autostrada Hangar, programin e edukimit dhe “Pavijonin e Gjelbërt” si projekt i ri i cili ka filluar në bashkëpunim të ngushtë me ITP dhe do të zgjerohet edhe me partnerët e tjerë.

Fjalimi vazhdoj me pjesëmarjen e Ministres së Industrisë, Ndërmarësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Ambasadorit Gjerman në Kosovë, Joeren Rohde, të cilët potencuan rëndësinë e projekteve të tilla të cilat fuqizojnë të rrinjët në Kosovë dhe kontribojnë në zhvillim e qëndrueshëm social dhe ekonomik.

Si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren, Autostrada Biennale funksionon me dy shpejtësi: njëra është ekspozita fizike që zhvillohet çdo dy vjet nga viti 2017, tjetra është hapësira e re e edukimit, prodhimit dhe ekspozimit në ish bazën ushtarake të KFOR-it Gjerman tani ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren).

Përmes edukimit, trajnimit dhe prodhimit të hapur drejt ekspozimit, qëllimi i tyre është të zhvillohen modele të reja të krijimit kulturor që do të inkurajojnë brezin e ri të mendoj në mënyrë kritike për artin dhe të bëhet pjesë e procesit të krijimit dhe instalimit të veprave artistike.

Infrastruktura e re e krijuar me mjete dhe paisje të ndryshme, laboratorin teknologjik, hapësirën e ekspozitës, pavijonin e gjelbërt, bibliotekën, barin dhe kuzhinën, hapësirën e përbashkët pune dhe ambientet tjera, do t’i plotësojnë nevojat e komuniteteve që operojnë në fushën e Industrisë Kreative dhe Kulturore por edhe më gjerë.

Për më tepër, hapësira me dy studiot e saj: Atelenë dhe Laboratorin e Teknologjisë, përmes programit të saj të edukimit do të angazhoj ekspertë në fushat e tyre dhe do të ketë një ndikim afatgjatë tek të rinjtë për profesionet e së ardhmes në lidhje me artin, teknologjinë dhe inovacionin. Më konkretisht do të ketë punëtori të vazhdueshme për zhvillim të shkathtësive në: formësim, dizajnim dhe prodhim të drurit, metalit dhe textilit; komunikim dhe multimedia; punëtori për robotikë, kodim dhe elektronikë; dhe punëtori për 3D modelim dhe 3D printim.

Edhe pse hapësira u përdor si një nga hapësirat kryesore gjatë edicionit të tretë në 2021, ku ishte një vit mjaft i suksesshëm me ekspozitën e tyre ndërkombëtare, programin e zhvillimit të aftësive dhe edukimit, nga tani kjo hapësirë do të jetë në funksion me program vjetor.

“Autostrada Hangar” u mundësua me mbështetjen dhe partneritetin bujar të ITP Prizren dhe Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, FfAI Fondacionit për Iniciativa Artistike, Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, UNKT dhe UNDP, Kreativ Qeramika, Gjirafa50 dhe Birra Peja. / KultPlus.com

Të ngjajshme