Hapet ekspozita ‘Ndërtimi i Televizionit Shqiptar në vitet 1959-1981’

29 Prill, 2022 - 5:00 pm

“Ndërtimi i Televizionit Shqiptar në vitet 1959-1981”, është ekspozita e hapur sot në ambientet e jashtme të Radio Televizionit Shqiptar, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Radio Televizioni Shqiptar.

Në këtë ekspozitë publiku i gjerë ka për herë të parë mundësinë që të vërejë nga afër procesin e zhvillimit teknologjik përgjatë ndërtimit të kësaj medieje shtetërore.

62 vjet më parë Radio Televizioni Shqiptar lëshoi sinjalin e parë televiziv, duke çelur epokën e lindjes së medias audiovizive shqiptare.

Mes materialeve arkivore të përzgjedhura, gjendet e evidentuar veprimtaria e përbashkët e disa gjeneratave të teknikëve, drejtuesve të kohës, arkitektëve, inxhinierëve etj., që u përfshinë në këtë sipërmarrje të vështirë dhe të kushtueshme për kohën.

Ekspozita parashikon edhe prezantimin e shumë objekteve teknike, të cilat kanë qenë produkt i punës televizive ndër vite.

Në stendat e kësaj ekspozite gjenden dokumentet e projekt ideve për ndërtimin e Radio Tiranës dhe më pas zgjerimin e godinës dhe për televizion.

Gjithashtu në ekspozitë paraqitet  edhe projekt vendimi mbi ngritjen e godinës së radio-difuzionit apo Vendimi i Këshillit të Ministrave mbi centralizimin për ndarjen e radio-frekuencave sipas shërbimeve.

Gjithashtu në stendat e ekspozitës “Ndërtimi i Televizionit Shqiptar në vitet 1959-1981”, gjenden edhe dokumentet historike mbi projekt marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e radio-difuzionit dhe televizionit midis Republikës së Demokratike të Gjermanisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë.

Kjo ekspozitë paraqet edhe foto arkiv mbi antenën e parë të transmetimit televiziv, aspekte nga montimi i aparaturave apo procese të montimit të transmetuesit.

Gjithashtu pjese e ekspozitës janë edhe pajisjet që përdoreshin dikur në RTSH, si kamera, pajisje regjistruese/riprodhuese portabile apo njësi të kontrollit të kamerës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme