26 Maj, 2025 - 2:59 pm
Sot në Institutin Albanologjik të Prishtinës u hap konferenca shkencore “Java e Albanologjisë”, me pjesëmarrjen e figurave të rëndësishme nga Kosova dhe Shqipëria. Në ceremoninë hapëse morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja, dhe ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj.
Fjalën përshëndetëse e mbajti nikoqiri Naim Berisha, i cili theksoi rëndësinë e albanologjisë në ndriçimin e identitetit kombëtar. Kryeministri Kurti dhe ambasadori Malaj vlerësuan kontributin e studiuesve shqiptarë dhe rëndësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet dy vendeve.
“Z. Naim Berisha, në cilësinë e nikoqirit e mbajti fjalën hapëse dhe falënderuese për të pranishmit. Ndër të tjera, ai shprehu nevojën për një qasje sa më të dinjitetshme në raport me albanologjinë, si dije për dhe rreth shqiptarëve. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Sh.T. Z. Albin Kurti i përshëndeti të pranishmit, studiuesit, profesorët dhe organizatorët e konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, 16/2025”, thuhet në njoftimin e Institutit Albanologjik.
Konferenca do të zgjasë pesë ditë dhe përfshin sesione nga fusha të ndryshme si historia, letërsia, gjuhësia, folkloristika dhe etnologjia. Sot po mbahet sesioni i parë me temën “Ndërthurja e identitetit fetar te shqiptarët”./KultPlus.com