Hapet thirrja për çmimin “Artistët e së nesërmes 2022”

13 Shtator, 2022 - 3:03 pm

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka hapur konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2022 për artistët e rinj të Kosovës deri në moshën 35 vjeçare.

Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork dhe mbështetët nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork.

Konkursi është hapur me 1 shtator 2022. Afati i fundit për aplikim është 1 tetor 2022. Rezultatet e konkursit do të shpallen më së voni deri më 8 tetor 2022. Artistët që punojnë në fushën e artit bashkëkohor, që përfshijnë punën në pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, instalacion, fotografi, video, mediat e reja dhe art performues inkurajohen të aplikojnë. Artistët nuk mund të aplikojnë me film artistik apo punë në artet aplikative, dizajn, teatër, vallëzim.

Aplikimi për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2022 bëhet nëpërmes regjistrimit online, duke e plotësuar Formularin e aplikimit, dhe duke dërguar dokumentacionin e kërkuar nëpërmes Formularit të aplikimit, që gjendet në webfaqen e Stacion – Qendra per Art Bashkëkohor Prishtinë. https://stacion.org/forma/application-form-aot-2022/

Anëtarë të Jurisë së Çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 janë: Anne Barlow, drejtoresha e TATE St Ives, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e Qendrës Kulturore private “Akvarijus”, Laura Raicovich, shkrimtare, kuratore, Nju Jork, Bernhard Rüdiger, artist, profesor në École Nationale des Beaux Arts në Lyon, Driton Selmani, artist, Kosovë.

Juria ndërkombëtare do të zgjedhë tre finalistët që do të prezantojnë punën e tyre në ekspozitën e finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022, që do të hapet me 9 nëntor 2022 në Klubin e Boksit në Prishtinë. Finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 do të përzgjedhen në bazë të shqyrtimit të portfolios së tyre artistike, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme dhe potencialit të demonstruar. Fituesi/ja e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 do të përzgjedhet në bazë të shqyrtimit të portfolios së tij/saj artistike, projekteve dhe veprave të artit të ekspozuara në ekspozitën e finalistëve, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme, bashkëbisedimit me jurinë dhe potencialit të demonstruar. Juria do të shpallë fituesin/en me 3 dhjetor 2022, në mbylljen e ekspozitës të finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 që do të mbahet në Klubin e Boksit në Prishtinë. Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë të Residency Unlimited, gjatë periudhës prill / maj 2023, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2024.

Mbështetësit kryesor të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2022 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Independent Curators International (ICI), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Të ngjajshme