Hapja e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, do të jetë jashtë stadiumit

14 Dhjetor, 2021 - 12:00 pm

Organizatorët e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, kanë vendosur që ceremoninë e hapjes së Olimpiadës most ë bëjnë në stadiumin olimpik, por në brigjet e lumit Sena. Ata parashikojnë deri në 600 mijë tifozë të pranishëm përgjatë dy brigjeve të lumit Sena, përgjatë kohës që do të zgjasë ceremonia e hapjes dhe parakalimi i delegacioneve olimpike.

Me këtë rast më shumë se 160 anije me sportistë, trajnerë dhe drejtues do të lëvizin përgjatë lumit Sena me përfaqësuesit e mbi 200 shteteve pjesëmarrëse gjatë ceremonisë së hapjes.

“Olimpiada është një eksperiencë unike dhe duam që nejrëzit ta ndjejnë atë. Sportistët do të lëvizin përgjatë lumit dhe do të shohin Kullën Eifel, Katedralen Notre Dame, muzeun e Luvrit, poshtë disa urave etj. Do të jetë një ceremoni e hapur, popullore, ku kushdo mund të marrë pjesë, ndërkohë që do të montojmë 80 monitorë të mëdhenj”, janë shprehur organizatorët .

Kjo do të jetë hera e parë në histori që ceremonia e hapjes së një olimpiade verore, të zhvillohet jashtë një stadium olimpik./ KultPlus.com

Të ngjajshme