HAPU 2025: Festivali që e shndërron hapësirën publike në skenë arti, për herë të parë edhe në Gjakovë

29 Korrik, 2025 - 1:17 pm

Edicioni i 11-të i festivalit HAPU, një ndër ngjarjet më kreative të verës në Kosovë, do të mbahet nga 1 deri më 5 gusht në dy qytete: Gjakovë dhe Prishtinë. Për herë të parë, ky festival ndërkombëtar i artit në hapësirë publike do të shtrihet edhe në Gjakovë, në bashkëpunim me Fondacionin “Për Gjakovën”.

Ky edicion sjell performanca të guximshme nga artistë ndërkombëtarë nga Franca, Gjermania, Portugalia dhe Argjentina, të cilët do ta kthejnë qytetin në një skenë të hapur plot energji, muzikë, transformim dhe ndërveprim me publikun.

Festivali do të hapet më 1 gusht në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë me performancën “L’Instant T!” nga artisti Juan Ignacio Tula (Francë/Argjentinë), një shfaqje që kombinon elementë të cirkut bashkëkohor me rrotullime hipnotizuese të frymëzuara nga dervishët.

Më pas, publiku do të ftohet të bëhet pjesë aktive e veprës “Origami së bashku” të artistit gjerman Frank Bölter, ku do të ndërtohen figura gjigande prej letre me ndihmën e qytetarëve – për t’u ricikluar më vonë në forma të reja kreative.

Spektakli vazhdon me artistët francez të kolektivit Tac o Tac, të cilët do të sfidojnë gravitetin me performancën “Take Off”, në një paradë mbi kingala dhe makina futuriste, që shndërrojnë rrugët në një udhëtim qiellor.

Prishtina do të marrë stafetën nga 2 gushti, duke kulmuar më 5 gusht me mbylljen madhështore të festivalit nga grupi portugez Mimo’s Dixie Band, që me ritmet e Dixieland-it do të sjellin atmosferën e rrugëve të Nju Orlinsit në zemër të kryeqytetit.

Drejtori artistik Florent Mehmeti thotë se HAPU 2025 nuk është vetëm një festival, por një thirrje për të rigjetur qytetin ndryshe: “Luani, përjetoni transformimin, bëhuni pjesë e këtij rizbulimi dhe dëshmitarë të mahnitjes.”/KultPlus.com

Të ngjajshme