Haziri për “Flakën e Janarit”: Heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria

17 Janar, 2021 - 9:06 pm

Në Gjilan ka nisur zyrtarisht edicioni jubilar i 30-të i manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit 2021”.

Manifestimin e ka shpallur të hapur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka theksuar se pikërisht tri dekada më parë nisi rrugëtimin “Flaka e Janarit”, ndërsa nga ky vit ky manifestim hyn në radhën e manifestimeve të kulturës shpirtërore të shqiptarëve dhe vendoset në kalendarin kombëtar të aktiviteteve.

Ai ka thënë se heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria me sakrificë, se si kryengritet për të drejta e për liri. 

“Të vazhdojmë bashkë, pa dallime, për një qëllim, për një atdhe, për një komb e një flamur, sepse edhe hapin e fundit na duhet ta bëjmë bashkë dhe atë hap nuk duhet ndalë për ta çuar vendin përpara”, ka thënë Haziri. 

Ndërsa, Vlora Dumoshi, ministre në detyrë e Kulturës, ka shprehur mirënjohje për familjet e dëshmorëve që sollën lirinë, duke shtuar se ky manifestim mbledh artistë nga të gjitha trevat shqiptare, është manifestim i vlerave, andaj duhet ta ruajmë e ta kultivojmë atë. 

Për jetën dhe veprën e Kadri Zekës, të cilit i është kushtuar manifestimi i sivjetmë, ka folur atdhetari Bejtullah Tahiri, i cili ka thënë se ndër vite kjo datë e ka gjetur në Zagreb, Shqipëri e Zvicër, por gjithnjë është shënuar në mënyrë dinjitoze. Që nga vrasja tinëzare e heronjve, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla shpirtërisht gjenden në zemrat e çdo shqiptari. 

“Kadri Zeka u brumos me ide patriotike që nga rinia, ai bashkëpunoi me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, edhe si studentë pati veprimtari në lëvizjen për çlirim, derisa në mërgim pos që publikoi në revista të ndryshme, ai se bashkë me vëllezërit Gërvalla bëri përpjekjet për bashkim të lëvizjes së shkapërderdhur  në mërgim si dhe për pavarësimin e klubeve shqiptare në mërgim”, tha Tahiri, duke shtuar se pas demonstratave të vitit 1981, ai organizoi demonstrata në Evropë, internacionalizoi çështjen e Kosovës në botë. Ai dha shembullin më të mirë për bashkim. 

“Vrasje e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla ishte goditje e rëndë, por vepra e këtyre atdhetarëve kishte lëshuar rrënjë tek populli shqiptar, që u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka thënë Tahiri. 

Në emër të familjes së Kadri Zekës, ka folur Izmi Zeka, që tha se u bënë 39 vjet kur ranë Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla, 37 vjet kur ranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe kur vite e vite kur ranë shumë heronj duke dëshmuar se Gjilani dhe Anamorava ishte qendër e veprimtarisë patriotike në Anamoravë. 

“U jemi mirënjohës të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjilani e Anamorava e kanë historinë e vet. Kur nderojmë heronjtë nderojmë vetën tonë, kur nderojmë të kaluarën e nderojmë të ardhmen tonë”, ka thënë Zeka. 

Në manifestimin jubilar, janë nderuar familja e heroit Kadri Zeka për kontributin për lirinë e shqiptarëve, dy nga themeluesit e këtij manifestimi, Sabit Rrustemi e Hasan Bunjaku, post-mortum për kontributin në artin letrar dhe atë dramatik u nderua Beqir Musliu si dhe Filarmonia e Kosovës. /express/ KultPlus.com

Të ngjajshme