“Herën e fundit kur të shkrova, isha e shtrirë në spital”, letra që Saranda Bogujevci ia dërgoi gjyshes më 2 shkurt 2000

4 Shkurt, 2022 - 11:19 am

Uniformat e lezetshme të shkollës, ditët e ngrohta të Mançesterit dhe salla e refugjatëve, formojnë impresionet e hershme të një jetimeje të shpëtuar nga Kosova. Fragmente këto të shkëputura nga letrat që ajo dërgoi në shtëpi.

Saranda Bogujevci, 22 vjeçare, gëzoi ikjen më të mrekullueshme nga paramilitarët serb, të cilët shpuan trupin e saj me 16 plumba, në masakrën që ndodhi në kopshtin e shtëpisë së saj, në një fshat në Podujevë, më 28 Mars të vitit 1999. Gjashtë anëtarë të familjes së saj u vranë, përfshirë këtu nënën dhe vëllain e saj.

Saranda la gjakderdhjet prapa saj në Prishtinë dhe u vendos në Mançester, ku u shërua nga plagët që kishte marrë. Por tmerri i vrasjes së familjes së saj ende e ndjek atë dhe pas disa vitesh kur ajo u kthye prapë në rajon për të dëshmuar kundër vrasësve.

Më poshtë mund të shihni letrën që ajo i shkroi gjyshes së saj, ndërsa po mësohej me ambientin e ri në veri-lindje të Anglisë.

2 SHKURT 2000

E dashura gjyshe. Herën e fundit kur të shkrova, isha e shtrirë në spital. Nejse, që atëherë gjërat janë përmirësuar. Ende më duhet të shkoj tek fizioterapeuti tërë kohën, ndonjëherë deri në pesë herë në javë, por të paktën në mbrëmje mund të shkoj në shtëpi.

Para pothuaj tre muajsh, pata një operacion të madh në krah. Të lutem mos u merakos për plagët e mia, sepse doktorët këtu kujdesen shumë për mua. Aq shumë, saqë jam kthyer në shkollë. Është kënaqësi të jem së bashku me moshatarët e mi. Plus, unë e vesh uniformën e shkollës që është shumë e lezetshme. Askush nga nxënësit në Kosovë nuk do t’i vishte, por këtu të gjithë vijnë në shkollë me funde ngjyrë hiri, pulovra dhe kollare ngjyrë vjollce.

Mësimet ma heqin mendjen nga ajo që ndodhi vitin e kaluar. Edhe pse mësoj vetëm shkencë, matematikë dhe tek-tuk ndonjë mësim arti, unë humb veten me detyrat që kam. Po ashtu, nxënësit dhe mësuesit sillen shumë mirë me mua, gjë që ma lehtëson jetën.

Më vjen çudi, se si sistemi shkollor këtu është ndryshe nga ai në Kosovë. Në vend që mësuesit të kenë sallën e arsimtarëve, ata kanë një dhomë në klasën time dhe atyre iu duhet të rrinë me ne.

Edhe pse po shërohem përbrenda, prapë se prapë ka gjëra që ma zenë rrugën. Unë nuk mund të shprehem siç duhet. Ka shumë raste kur nuk mund të shpreh mendimet e mia sepse nuk e flas gjuhën angleze aq mirë. Fakti i tillë po më çmend. Dua t’iu them njerëzve:”Unë nuk po tregoj veten time, unë nuk po shprehem ashtu siç synoj!”

Por nuk kam mundësi, kështu që ndjehem sikur të isha dikush tjetër. E urrej këtë gjendje. Unë kurrë nuk kam qenë aq e urtë në shtëpi, po këtu mësuaesit mendojnë se jam shumë e sjellshme. Sikur t’më njihnin! Më ka marrë shumë malli për ty dhe shtëpinë. Shpresoj të shihemi së shpejti. Me dashuri, Saranda./ KultPlus.com

Të ngjajshme