Heroinat e shtetit tonë, ato që heshtjes i dhanë zë

14 Tetor, 2019 - 6:59 pm

Xhemile Hysenaj

Në Kosovë, janë të raportuara mbi 20.000 viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, konsiderohet që kjo shifër do të duhej të ishte edhe më e madhe, por, për arsye të ndryshme që në fakt janë të dhimbshme dhe kërkojnë guximin e botës, ato deri tash kanë mbetur në sirtarin e secilit që ka vendosur të hesht, shkruan KultPlus.

Gra të martuara, vajza të reja e fëmijë, kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Disa prej tyre nuk janë martuar kurrë, disa kanë vuajtur edhe më shumë në familjet e tyre si pasojë e mendësisë patriarkate e disa edhe kanë bërë vetëvrajse, nga presioni i madh psikik, nga pamundësia për tu mjekuar, e shpesh edhe nga presioni shoqërorë.

Disa të dhunuara në sy të familjes, disa të dhunuara për ditë e netë të tëra, ku tash e 20-të vite, rastet e tilla, vazhdojnë të përndjekin secilin prej nesh.
Populli ynë thotë : Të këqijat, nuk i mban as dheu. E të këqijat e disa prej viktimave të vendit tonë , kanë dalur në pah vitet e fundit, falë heroinave tona që duke i bërë ballë vështirësive, me rrëfimet e tyre i kanë kthyer sytë e botës drejt nesh.

Vasfije Krasniqi, Marte Tunaj e së fundi edhe Shyhrete Sylejmani, janë gratë që heshtjen nuk e panë si rrugëdalje. Duke ngritur zërin e tyre, ato u bënë shembull e ngushëllim për të gjithë, sidomos për viktimat tjera të dhunës seksuale.

Këto tre gra i bashkon historia e përbashkët, e më shumë se kaq, i bashkon forca për të mos heshtur. Ato janë zëri i 20.000 grave të dhunuara, janë zëri i gjakut që është derdhur dhe zëri i atyre që kurrë nuk do të mund të flasin për ngjarjen e tyre.

Gratë e dhunuara i kanë shtatë kërkesa: të dënohen kriminelëtdhunuesit, të përfshihen në kategorinë e vlerave të luftës, të kenë trajtim të veçantë mjekësor, si dhe të kenë përparësi në punësim, por pa i stigmatizuar si gra të dhunuara, por si invalide të luftës!

Ato thjeshtë dëshirojnë një jetë normale, një jetë që nga rrethana e faktor të ndryshëm, u është privuar tash e sa vite. / KultPlus.com

Të ngjajshme