Hillary Clinton: Albright ishte gjithmonë në nxitim për të bërë vepra të mira

27 Prill, 2022 - 7:05 pm

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në ceremoninë e varrimit të Madeleine Albright, kujtoi veprën dhe jetën e kësaj të fundit.

Clinton tha se Albright ishte gjithmonë me nxitim për të bërë vepra të mira.

“Kam pasur privilegjin ta njihja Madeleinen në shumë sfera të jetës, por ajo ishte gjithmonë në nxitim për të bërë vepra të mira”, ka thënë Clinton.

Clinton kujtoi edhe momentin kur u takuan për herë të parë, dhe ku, siç thotë ajo, mbollën farat e miqësisë.

“U takuam së pari në vitet e 80 në një ngjarje humanitare për fondin e mbrojtjes së fëmijëve në Uashington dhe farat e miqësisë sonë u mbollën aty. Ajo i mësonte studentët e saj që heshtja mund të jetë e artë por nuk fiton argument, ju duhet të ndërprisni njeriun kur flet”, tha ajo.

Ajo madje e pranoi se ishte iniciatore që Albright të ishte sekretare e parë e Shtetit, njofton KlanKosova.

“Tashmë është thënë se kisha inkurajuar unë burrin tim që ta emëronte si sekretare të parë të Shtetit, kjo është e vërtetë dhe kam pasur kënaqësinë më të madhe kur ai u pajtua. Në kohën kur ambasadorët ngurronin fjalët, ajo asnjëherë nuk hezitonte të fliste”, shtoi ajo.

Clnton tha se mikesha e saj ishte e pandalshme, me humor, me shumë stil dhe e buzëqeshur.

“Nëse Madeleine do të ishte sot me ne, do të na përkujtonte që kjo është stina e të vepruarit”, vazhdoi ajo.

“Zoti të bekoftë Madeleine, nuk do të harrojmë asnjëherë”, përfundoi Clinton. / KultPlus.com

Të ngjajshme