Hiqet nga Kongresi statuja e gjeneralit Lee të Konfederatës, kishte mbështetur skllavërinë

23 Dhjetor, 2020 - 1:01 pm

Një statujë e gjeneralit Robert E. Lee, udhëheqës i forcave të Konfederatës gjatë Luftës Civile, që përfaqësonte shtetin amerikan të Virxhinias në Sallën Kombëtare të Statujave, u hoq nga ndërtesa e Kongresit amerikan të hënën në mëngjes.

Në një deklaratë të dielën, Guvernatori i Virxhinias Ralph Northam tha se kishte kërkuar heqjen e statujës gjatë verës, pasi një komision vendosi se një gjeneral që luftoi për të mbështetur skllavërinë nuk ishte një simbol i përshtatshëm për një shtet të larmishëm dhe modern.

Që nga viti 1909, statuja e gjeneralit Lee kishte qëndruar së bashku me statujën e Presidentit Xhorxh Uashington si përfaqësues të Virxhinias në Sallën Kombëtare të Statujave në mjediset e Kongresit, ku çdo shtet amerikan përfaqësohet nga dy statuja. Komisioni shtetëror rekomandoi zëvendësimin e statujës së gjeneralit me atë të aktivistes për të drejtat civile në Virxhinia, Barbara Jones.

Në vitin 1951, në moshën 16-vjeçare, Jones protestoi për kushtet e këqija në shkollën e saj të mesme të përbërë vetëm nga afrikano-amerikanë në qytetin Farmvill. Çështja gjyqësore e ngritur prej saj u bë pjesë e vendimit historik të Gjykatës së Lartë amerikane, e njohur si “Brown kundër Bordit të Arsimit”, që ndaloi ndarjen racore në shkollat publike në të gjithë vendin.

Në deklaratën e tij, guvernatori Northam tha se “mezi pret të shoh një grua të re me ngjyrë që përfaqëson Virxhinian në Sallën Kombëtare të Statujave”.

Nga llogaria e saj në Twitter të hënën, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi përçoi të njëjtën frymë, duke thënë për statujën e gjeneralit Lee se, “Nuk ka vend për të festuar fanatizmin e Konfederatës në Kongres, apo ndonjë vend tjetër në Shtetet e Bashkuara”.

Asambleja e Përgjithshme e Virxhinias do të votojë gjatë seancës së ardhshme që fillon më 13 janar nëse do të autorizojë statujën e aktivistes Barbara Jones, e cila vdiq në vitin 1991 në moshën 56 vjeçare. Guvernatori Northam propozoi një fond prej 500,000 dollarësh për arritjen e këtij synimi.

Statujat e konfederatës në vende publike si Kongresi dhe gjetkë kanë qenë fyese për vite të tëra për afrikano-amerikanët. Por ato u bënë një pikë e nxehtë debati kombëtar në vitin 2020, ndërsa shpërthyen protestat e lëvizjes “Black Lives Matter” në Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën pas vdekjes në maj të afrikano-amerikanit George Floyed, ndërsa ishte në paraburgim në qytetin Mineapolis të shtetit të Minesotës/VOA / KultPlus.com

Të ngjajshme