Historia e 34 vjeçares dhe nënës së saj të verbër që tërmeti ua shkatërroi shtëpinë

1 Dhjetor, 2019 - 10:37 pm

Ndër të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri është edhe familja Plaku në Shijak, saktësisht 34-vjeçarja Xhuana Plaku, e cila ka probleme me shikimin (e verbër në njërin sy) dhe mamaja e saj e verbër, Igballja.

Banesa e tyre pësoi dëmtime që në tërmetin e shtatorit, ku ekspertët e cilësuan si të pabanueshme.

“Nuk kishim ku jetonim, kështu që ndenjëm aty”, tregon Xhuana për Top Channel.

Por tërmeti i 26 nëntorit do t’i jepte shtëpisë goditjen finale. Xhuana, babai i së cilës ndërroi jetë kur ajo ishte 3 vjeçe duke e lënë të vetme me mamanë e sëmurë rrëfen momentet e tmerrit.

“Derisa u ngritëm ne ranë komplet gurë, sepse shtëpia është e pabanueshme; ranë suvatimet, të gjitha brenda. Dolëm përjashta dhe kaq. Tani na mori çuni i xhaxhait dhe jemi aty, te xhaxhai. Pata frikë se ishte një lëkundje e fortë, mezi hapëm derën, sepse është e vjetër, e dëmtuar. Kanë ardhur ekspertë, e kanë verifikuar, kanë thënë është e pabanueshme, ndërsa shërbim mjekësor jo. Erdhën të komunës na ofruan çadër, por ne nuk jemi për çadër. Unë jam me operim në zemër mami me infarkt”, tregon Xhuana.

Kërkesa e saj e vetme është që të ketë një shtëpi të futet brenda.

“Dua një shtëpi të futemi brenda, dua një banesë, kudo që të të jetë”, thotë ajo. Top Channel / KultPlus.com

Të ngjajshme