Historia e këngës 600-vjeçare “Moj e bukura More”

2 Shtator, 2025 - 7:38 pm

Historia e këngës 600-vjeçare “Moj e bukura More” është një nga gurët më të rëndësishëm të trashëgimisë arbëreshe dhe shqiptare. Kjo këngë e mërgimit, që ka kaluar brez pas brezi, përmbledh mallin, dhimbjen dhe kujtimin e humbjes së atdheut nga arbëreshët e Italisë dhe arvanitët e Greqisë.

Shumë pak e dinë se “More” është emri i vjetër i Peloponezit në Greqi, nga ku shqiptarët u shpërngulën drejt Italisë së Jugut pas pushtimeve osmane. Kënga përmendet për herë të parë në një dorëshkrim të vitit 1708 në Kieuti dhe më pas u ribotua nga filologu arbëresh Dhimitër Kamarda në vitin 1866, ku teksti ishte shkruar në shqip por me alfabet grek.

Shpërnguljet e arbëreshëve nisën pas pushtimit të Krujës më 1478 dhe rënies së Koronit në More më 1534, kur mijëra shqiptarë dhe arvanitas u larguan për në Itali. Shumë prej tyre shkuan si luftëtarë për të ndihmuar mbretërit aragonezë, ndërsa vetë Skënderbeu në vitin 1461 udhëtoi me ushtri shqiptare në mbështetje të Ferdinandit të Napolit dhe mori feude në Pulia, duke hedhur themelet e vendbanimeve arbëreshe në Kalabri, Siçili dhe Pulia.

“Moj e bukura More” ndoshta u këndua për herë të parë pikërisht në ato çaste shpërnguljeje të dhimbshme, si një vajtim për atdheun e braktisur, çka e bën ndoshta këngën më të vjetër shqiptare që këndohet ende sot me të njëjtën ndjenjë malli.

Arbëreshët ruajtën gjuhën, zakonet, ritet fetare ortodokse bizantine, këngët dhe legjendat, duke krijuar një pasuri të veçantë kulturore në Itali që edhe sot përbën një dëshmi të gjallë të historisë shqiptare./KultPlus.com

Të ngjajshme