Holland testohet me rolin e ri në filmin “Cherry”

28 Shkurt, 2021 - 10:26 pm

Miqtë dhe familja e Hollandit ishin në mëdyshje se pranimi i rolit në “Cherry” ishte i duhuri për aktorin 24-vjeçar, i cili ka ndërtuar një bazë globale duke luajtur një superhero klasik, atë të “Spidermanit”

Pasi filloi karrierën me dramën “The Impossible”, Tom Holland i ka kaluar pesë vjetët tij të fundit i njohur dhe i dashur për botën si “Spider-Man”.

Përderisa atë kohë të jetës së tij po ua kushtonte përshëndetjeve me adhuruesit si superheroi i tyre i preferuar, vëllezërit e famshëm regjisorë të Marvelit, Anthony dhe Joe Russo, e kishin pyetur Hollandin nëse ai do të luante në dramën e tyre të ardhshme “Cherry”, si një veteran i varur nga droga mjekësore nga Cleveland, Ohio. Filmi është bazuar në romanin gjysmautobiografik “Cherry” nga veterani i ushtrisë Nico Walker.

“Ngurrova dhe druhesha për ngarkesën e punës dhe për temën. Unë kurrë nuk kam bërë një film që trajton çështje reale, si epidemia opioide ose për ata që vuajnë nga PTSD-ja. Kështu që, vetëm isha pak i shqetësuar se nuk do të isha në gjendje ta sjell atë nivel të vërtetësisë që kërkon një film si ky”, ka shpjeguar Holland.

Por pas bisedave të gjata me vëllezërit Russo, Holland pranoi, duke u ndier i sigurt se mund ta pranonte këtë sfidë të re.

“Gjëja për të cilën jam më krenar është vetëm filmi. Është vetëm ajo që kemi arritur. Janë vendet ku kemi shkuar emocionalisht. Janë vendet ku kemi shkuar fizikisht. Është arti i të rrëfyerit, i cili mendoj se është bërë në një mënyrë vërtet të bukur e unike në këtë film”, ka thënë ai. Libri paraqet detaje të tmerrshme në lidhje me përvojat e ushtarit në Irak.

“Tom (Holland) u prek nga temat në libër. Ai foli me një veteriner, që vuan nga PTSD-ja, i cili i tha Tomit: ‘Ata na mësojnë se si të vrasim, por nuk na mësojnë si të kthehemi në shtëpi’. Dhe ky është një hendek kritik te kujdesi për veterinerët”, ka thënë Joe Russo, i cili e ka përshkruar krijimin e këtij filmi si diçka shumë të rëndësishme për të.

“Më e rëndësishmja, në fund të ditës, pavarësisht nëse bëhet fjalë për varësi nga opioidet ose veteranët me trauma, filmi po përpiqet të krijojë empati për të dy temat, sepse mendojmë se empatia tani është në mungesë dhe që njerëzit thjesht duhet të dëgjojnë pak më shumë dhe t’i bërtasin më pak njëri-tjetrit”, ka shtuar ai.

Miqtë dhe familja e Hollandit ishin në mëdyshje se pranimi i rolit në “Cherry” ishte i duhuri për aktorin 24 vjeçar, i cili ka ndërtuar një bazë globale duke luajtur një superhero klasik. “Mendoj se gjithmonë do të jetë e vështirë për prindërit e mi. Mendoj se ata gjithmonë do ta shohin djalin e tyre të vogël në rolin e heroit dhe do t’i shokojë pak. Por nuk e di. Deri më tani është mirë. Duket se të gjithëve po ju pëlqen me të vërtetë”, ka thënë ai. “Cherry” shfaqet më 26 shkurt në kinema të kufizuara dhe më 12 mars në Apple TV +./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme