Ikona mbi 200-vjeçare ‘Shën Mëria me lule’ e vëllezërve Zografi

4 Shtator, 2022 - 9:41 am

Ikona “Shën Mëria me lule”  është një ikonë shumë e veçantë e pikturuar nga atelia e vëllezërve Zografi, në vitin 1745.

Ikona i është dhuruar Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë nga vetë brezat e mëvonshëm të familjes Zografi.

Ikona është vendosur mbi një kornizë shumë të bukur, të gdhendur në dru. Korniza është pjesë përbërëse e ikonës dhe jo pjesë që i bashkangjitet asaj. Ajo është gdhendur me motive floreale si: lule, gjethe, zogj e fruta të ndryshme. Pjesa e sipërme e ikonës përbëhet nga një zonë e vogël e ngushtë e harkuar në të cilën paraqitet “Ati i Shenjtë” ndërmjet reve puplore duke bekuar me të dyja duart .

Ikona në pjesën kryesore të saj paraqet Shën Mërinë të vendosur ndërmjet luleve. Ajo është duke mbajtur në krah Krishtin. Krishti është punuar në miniaturë duke mbajtur në njërën dorë sferën e botës, kurse në dorën tjetër mban skeptrin e shenjtë. Në kokë mban kurorën mbretërore.

Një tipar i veçantë që vërehet në këtë ikonë është pikërisht fakti që Shën Mëria mban një lule. Elementi i lules nënkupton pafajësinë e figurës së Shën Mërisë. Veshja e Shën Mërisë është e pasur me motive floreale. Gjithashtu bie në sy  një mafor i cili kopsitet në gjoksin  e saj me anë të një luleje.

Në pjesët anësore prezantohen dy kryeëngjëj duke mbajtur në duar elitarë dhe skeptrin e shenjtë.

Tonalitet e ngjyrës kafe janë përdorur për të tonalizuar fytyrat e personazheve në ikonë,   megjithëse tiparet e tyre janë delikate, elegante dhe humane./atsh/ KultPlus,.com

Të ngjajshme